Banjska, Amerika kërkon bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ta çuar në burg Radoiçiqin

Banjska, Amerika kërkon bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ta çuar në burg Radoiçiqin

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Gjatë përleshjeve që pasuan në këtë fshat të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serb.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radoiçiqin.
Gjatë panelit të diskutimit në Munih, senatorja demokrate Shaheen, e cila në të kaluarën ka vizituar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, tha se është e rëndësishme që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të përqendrohen në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, në situatën në Bosnje e Hercegovinë apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sa i përket temës së fundit, ajo tha se shtetet që ndërmarrin vendime të vështira dhe bëjnë reforma, duhet të shpërblehen në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

“Ne po ndërtojmë një koalicion në Senat për nevojën se ne duhet të mbështesim përpjekjet në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Shaheen shtoi se do të vazhdojë të shtyjë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, që të mbështesë përpjekjet për paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Dua të theksoj se këto përpjekje diplomatike janë publike dhe private. Pra, ka gjëra që ndodhin në prapaskena që ndihmojnë në ‘lëvizjen e topit’ në mënyrë që të lëvizin gjërat që thuhen publikisht”, tha Shaheen.

MARKETING