Avokati serb: SHBA po e armatos Kosovën për shkak të kërcënimeve të Serbisë
Avokati serb Çedomir Stojkoviç ka deklaruar sot se shitja e sistemit raketor antitank “Javelin” në Kosovë vjen si rezultat i politikës agresive të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe armatimit të grupeve paramilitare në përgatitje të skenarit të Donbasit, i pari i të cilit u pa në Banjska më 24 shtator.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Stojkoviç shkruan se dorëzimi i sistemit “Javelin” në Kosovë, vjen si pasojë direkte e politikave të Vuçiç ndaj Kosovës.
“Siç dihet, askush tjetër nuk e kërcënon Kosovën. Nëse kërcënoni një aleat të SHBA-së, atëherë duhet ta dini se SHBA-ja do të armatosë aleatin e saj. Është më i sigurt se rezultati 2+2. Këtë duhet ta dijë Aleksandar Vuçiç. Duhet ta dijë këtë. Tani sikur nuk e dini papritmas”, ka shkruar Stojkoviç.
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi dje se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa antitank “Javelin” në vlerë 75 milionë dollarë. Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit. Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.
Më herët, avokati Stojkoviç ka thënë se blerja e “Javelin” është një sinjal i qartë se SHBA nuk llogarit më te Vuçiç si faktor në Ballkan.
“Dy vjet më parë, menjëherë para pushtimit të Ukrainës, për të cilin Putin e informoi në vitin 2021, Aleksandar Vuçiç shpenzoi dhjetëra milionë euro për tanket ruse, me të cilat donte të realizonte skenarin e Donbasit në veri të Kosovës, në Bosnje dhe Hercegovinë, sapo Putin të pushtonte Kievin. Tani SHBA po i jep Kosovës një të paarritshme për ato tanke – sistemin raketor Javelin”, pati thënë ai, duke shtuar se në vend të Vuçiç, pajisjet ushtarake amerikane sikurse ato “Javelin” po bëhen faktor i paqes në Ballkan.