“Izraeli zhvillon bisedime të fshehta me Kongon për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza”
Pretendohet se zyrtarët izraelitë po zhvillojnë bisedime të fshehta me Kongon dhe vende të tjera për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.
Pavarësisht reagimeve nga komuniteti ndërkombëtar, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Rripit të Gazës nën bllokadë. Për shkak të këtyre sulmeve në Gaza janë zhvendosur 1.9 milion palestinezë.
Emra të ekstremit të djathtë në kabinetin e Izraelit shpesh janë duke theksuar “zhvendosjen vullnetare” të palestinezëve që jetojnë në Gaza.
Zyrtarët izraelitë të cilët kanë folur në gazetën “Zman Yisrael”, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar thuhet se kanë pretenduar që Kongo “do të jetë e gatshme për të pranuar qytetarët e Gazës” dhe se negociata për këtë çështje janë zhvilluar edhe me vende të tjera.
“Kongo do të jetë e gatshme të marrë emigrantë dhe ne po zhvillojmë bisedime edhe me të tjerët”, ka potencuar një zyrtar izraelit.
Në lajm nuk jepen detaje nëse është Republika e Kongos apo Republika Demokratike e Kongos me të cilën Tel Avivi ka biseduar, ndërkohë vihet në dukje se Izraeli ka marrëdhënie të afërta me Republikën Demokratike të Kongos.
Ministrja izraelite e inteligjencës, Gila Gamliel dje foli në parlamentin izraelit (Knesset) duke pretenduar se pas sulmeve “administrata e Hamasit do të shkatërrohet dhe se popullata civile do të jetë e varur plotësisht nga ndihmat humanitare.”
“Nuk do të ketë asnjë (mundësi) pune dhe 60 për qind e tokave bujqësore në Gaza do të bëhen zona tampon për sigurinë”, tha ajo.
Pasi potencoi se “zgjidhja në Gaza është migrimi vullnetar i palestinezëve që jetojnë në rajon” Gamliel mbrojti idenë e saj se komuniteti ndërkombëtar duhet të ofrojë mbështetje për këtë.
Ministrat izraelitë shpesh flasin për “migrimin vullnetar” të palestinezëve nga Gaza
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministri i Financave nga radhët e ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich kanë deklaruar se “mbështesin migrimin vullnetar të palestinezëve nga Rripi i Gazës”.
Në një deklaratën nga platforma e medias sociale X, Ben-Gvir lidhur me vendbanimet e palestinezëve që do të migrojnë tha se “Në botë kemi partnerë që do të na ndihmojnë”. Ai nuk dha ndonjë informacion se kush janë këto partnerë dhe se cilat janë ato vende.
Ndërsa sipas radios izraelite edhe ministri izraelit i Financave nga radhët e ekstremit të djathtë, Smotrich ka deklaruar se “Zgjidha e drejtë për Rripin e Gazës është inkurajimi i migrimit vullnetar në vendet që pranojnë të marrin refugjatë”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një deklaratë me shkrim i komentoi si “provokuese dhe të papërgjegjshme” deklaratat e ministrave izraelitë Smotrich dhe Ben Gvir në lidhje me “migrimin vullnetar të palestinezëve nga Rripi i Gazës”.