(VIDEO) Opozitarët: Qeveria qytetarëve po u jep nga 2 mijë denarë, për vete po marrin 400 euro
Vit i Ri, paga më të larta për funksionarët shtetëror. Llogarive të zyrtarëve, në pagën e muajit janar do t’u shtohen 400€ të reja, ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore. Ndërkohë, kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, u shpreh se nuk ka të drejtë për rritje rroge, sepse më 28 janar do të mbahet seanca e Kuvendit, në të cilën do të paraqitet Qeveria teknike me kryeministër teknik. Ndërsa, sa i përket pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, kryeministri tregoi se është një grup pune që po punon për një propozim që duhet të dorëzohet në Kuvend dhe më pas aty të thuhet fjala e fundit.
Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Është një grup pune që po punon për një propozim që duhet të dorëzohet në Kuvend dhe më pas të thuhet fjala e fundit. Grupi i punës duhet të thotë se pse pritet shumë ligji. Unë i kam pyetur, por ata thonë se janë duke punuar”.
Rritja e pagave të funksinarëve nxiti shumë reagime.
Lidhja Europiane për Ndryshim, tha se Qeveria qytetarëve po u jep nga 2 mijë denarë, ndërsa për vete po merr 400€ plus. Zhvatja e popullit në çdo formë të mundshme, shtojnë ata më tej
Lidhja Europiane për Ndryshim
“Tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €. Por ama lavdërohen se e kanë rritur pagën minimale në 22.500 denarë ose rreth 370 €. A ka turp më të madh, a ka zhvatje më të madhe, a ka dyftyrësi më të madhe se kjo qeveri dhe funksionarët e saj. Imagjinoni pas disa muajve do të dalin të kërkojnë votën e qytetarëve dhe me paturpësi do të thonë; na votoni ne që kemi rroga prej 3000€, sepse ne i bëmë rrogat tuaja nga 370€!”
Krahas kësaj edhe VMRO nuk qëndroi në heshtje. Ata thonë se pagat po rriten shumë ngadalë në raport me koston jashtëzakonisht të rritur të jetesës.
VMRO
“Vlera e shportës minimale sindikale për mbijetesë të një familjeje 4 anëtarëshe për muajin tetor 2023 është 46.198 denarë. LSDM-ja mburret me pagë minimale prej 22.500 denarëve, që është gjysma e kostos reale të jetesës.Në 7 vitet e qeverisjes së LSDM-së, Maqedonia mbeti prapa të gjitha vendeve të rajonit, të gjitha vendet që ishin pas nesh tani janë para nesh”.
Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Nga pushteti u zotuan se do ta zbusin rritjen e pagave të tyre. /SHENJA/