(VIDEO) Emergjenca në Shkup: 3 pacientë të lënduar nga aksidentet e trafikut, 3 të tjerë si pasojë e sulmeve fizike
Gjatë natës së ndërrimit të viteve, në Qendrën Emergjente në Shkup, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 3 pacientë si pasojë e aksidenteve të trafikut dhe 3 të tjerë, kanë përfunduar në spital si pasojë e sulmeve fizike. Kurse për shkak të helmimit nga alkooli, ndihmë në Klinikën e Toksikologjisë kanë kërkuar 23 pacientë.
Ortopedi Eren Sejfulla bëri me dije se kanë trajtuar një 20 vjeçar, i cili ishte sulmuar me thikë, por tha se i njejti është në gjendje stabile dhe është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Torako-vaskulare, për trajtim të mëtutjeshëm.
Eren Sejfulla, ortoped
“Në Qendrën Emergjente ka pasur 103 kontrolle, prej të cilëve 3 aksidente trafiku. Një pacient është pranuar në Klinikën e Kirurgjis Digjestive për trajtim të mëtutjeshëm dhe është në gjendje stabile. Ka pasur edhe 3 sulme fizike, një pacient është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë torako-vaskulare. Bëhet fjalë për një goditje me thikë, por pacientë është në gjendje stabile. Të gjitha rastet e tjera janë me lëndime të lehta trupore dhe janë lëshuar për kurim shtëpiak”.
Ndërkaq, sipas Kirill Naumovski nga Klinika e Toksikologjisë, numri i intoksikimeve akute lidhur me substancat psikoaktive rritet çdo vit.
Kirill Naumovski, Klinika e Toksikologjisë
“Numri i intoksikimeve akute lidhur me substancat psikoaktive rritet çdo vit. Shumë shpesh ndodh që një pjesë e pacientëve të mos e tregojnë të vërtetën kur i pyesim dhe thonë se kanë pirë vetëm alkool. Pjesën më të madhe që e kanë kontrolluar kolegët gjatë natës janë sipas asaj që e kanë thënë pacientët, se janë vetëm nga alkooli”.
Përndryshe, ai tregoi se gjatë natës kanë pasur 23 kontrolle shëndetësore, prej të cilëve 12 të rritur dhe 11 të mitur, kurse personi më i moshuar ka qenë i moshës 63-vjeçare, por që të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Emine Ismaili /SHENJA/