Serbi, një numër qytetarësh u mblodhën në protesta duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve

Serbi, një numër qytetarësh u mblodhën në protesta duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve

Në organizim të iniciativës “ProGlas”, në qendër të Beogradit, kryeqytetit të Serbisë, sot janë mbledhur një numër i qytetarëve serbë me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura dy javë më parë në vend, raporton Anadolu.

“Nuk pajtohemi”, është mesazhi kryesor i qytetarëve të mbledhur në shatërvanin e Terazisë, simbol i rebelimit studentor, vendi ku studentët mbajtën një protestë të njohur kundër qeverisë së regjimit të Sllobodan Millosheviqit në fillim të viteve 1990.

Qytetarëve të mbledhur u janë bashkuar edhe studentët të cilët dje kanë bllokuar rrugën para Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, gjegjësisht kryqëzimin e rrugëve “Knez Millosh” dhe “Birçaninova”, ku kanë ngritur çadra.

Në tubim ka ardhur edhe njëra nga lideret e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiq, e cila prej 13 ditësh është në grevë urie. Ajo përshëndeti të pranishmit nga skena dhe tha se zgjedhjet e fundit në vend duhet të anulohen.

Gjatë tubimit u shpalosën pankarta të shumta ku shkruhej: “Edhe ky është vendi ynë”, “Vit i ri fatkeq”, “Kërkoni kontroll ndërkombëtar të listave”, “Dua liri për Vitin e Ri”.

MARKETING