(VIDEO) Xhaferi: Zgjedhjet do të shpallen në mes të shkurtit, Kuvendi do të punojë deri në fillim të fushatës

(VIDEO) Xhaferi: Zgjedhjet do të shpallen në mes të shkurtit, Kuvendi do të punojë deri në fillim të fushatës

Nga mesi i janarit duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Qeverisë teknike, e cila duhet të punojë në realizimin e zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen më 8 maj. Në një intervistë për MIA-n kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është propozuar për kryeministër të Qeverisë teknike, tregoi se si do të zhvillohen këto ndryshime në afatin kohor. Xhaferi tha se më saktë do të dihet me siguri deri më 9 janar kur do të mbahet koordinimi i parë me grupet e deputetëve në vitin 2024. Sipas tij, deri më 20 janar do të përzgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.

Kësaj radhe dorëheqje nuk duhet të japë vetëm kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, me atë që në dorëheqje do të jetë edhe gjithë Qeveria, por edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është propozuar për kryeministër teknik nga partia e tij amë, BDI. Para se të bëhet zyrtarisht mandatar, Xhaferit në seancë të veçantë duhet t’i konstatohet dorëheqja, e pastaj të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitreski, siç është propozuar nga LSDM-ja. Gjithashtu do të duhet të plotësohet edhe vendi i deputetit të Xhaferit nga lista e BDI-së në Njësinë zgjedhore 5. Zgjedhja e Qeverisë teknike është parashikuar për më 28 janar.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT

“Në çdo rast, këto janë situata specifike që janë jashtë atyre procedurave, të cilat Rregullorja i përcakton. Natyrisht se do të ketë një seancë të veçantë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe sigurisht që do të duhet të ketë një seancë të veçantë për zgjedhjen e Qeverisë, sepse kryetari i Kuvendit, respektivisht unë si i nominuar për postin e kryeministrit, nuk do të mund të jem edhe mandatar edhe kryetar i Kuvendit. Për  këtë  arsye, fillimisht duhet të sqarohet çështja e tërheqjes sime nga Kuvendi, në mënyrë që të pranoj zyrtarisht”.

Xhaferi tha se fillimisht duhet të bëhet dorëheqja e tij dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT

“Pavarësisht se jam në dorëheqje derisa të konstatohet seanca, formalisht jam edhe kryetar i Kuvendit, që do të thotë se këto janë teknikat që duhet t’i vendosim në kohën që po punojmë ndërkohë dhe në mbledhjen e radhës më 9 janar është koordinimi i rregullt dhe deri atëherë do t’i kemi sqaruar të gjitha situatat. Por sido që të jetë, tërheqja ime dhe zgjedhja e presidentit të ri duhet të shkojë përpara që të ketë një kryetar Kuvendi, i cili do të marrë programin dhe përbërjen e Qeverisë së re”.

Sipas tij, diku deri më 20 janar, do të zgjedhet kryetari i Kuvendit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING