(VIDEO) Kocevski mori dritën jeshile për kryeprokuror, Fetai eliminohet për shkak të maqedonishtes
Beteja për kryeprokuror është ngushtuar , pasi në këtë garë vetëm prokurori Ljupço Kocevski ka marrë dritë jeshile nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të vazhduar garën për kryeprokuror, ndërsa Fatime Fetai dhe Lidija Raiçeviq janë larguar nga gara për pasues të Ljubomir Joveskit.
Kocevski ka marrë një mendim pozitiv unanim dhe të gjithë anëtarët e këshillit kanë pasur vetëm fjalë lavdëruese për të gjatë diskutimit. Për dallim nga Kocevski, të gjithë kanë dhënë mendim negativ për prokuroren Lidija Raiçeviq. Një nga anëtarët e qortoi Raiçeviqin se rasti i fundit në të cilin ajo punoi përfundoi me lirim, duke aluduar në rastin “Rover” në të cilin akuzohej Ljube Boshkoski.
Prokurorja Fatime Fetai dështoi që në fillim për shkak të dokumentacionit jo të plotë. Ndërkaq, kjo e fundit ka reagur për Fokusse. Ai ka ka thënë se Këshilli duhet ta rishqyrtojë këtë vendim. Sipas anëtarëve të këshillit, Fetai nuk ka dorëzuar vërtetim për njohjen e gjuhës maqedonase dhe certifikatë për aftësi afariste.
FATIME FETAI,PROKURORE
“Do të ishte mirë që Këshilli i Prokurorëve Publikë ta rishqyrtojë edhe një herë vendimin e tyre. Njohja e gjuhës maqedonase dhe certifikata e aftësisë afariste janë kushte të përgjithshme, të cilat kuptohet se i plotësojmë tashmë kur jemi zgjedhur prokurorë. Nëse nuk i plotësojmë këto dy kushte, nuk do të mund të punonim fare si prokurorë”.
Ajo sqaron se nëse Këshilli konsideron se të dyja gjërat duhet të vërtetohen me dokument të veçantë, atëherë asnjë nga dokumentacioni i dorëzuar deri më tani nuk është i plotë, sepse askush nuk ka dorëzuar certifikatë për njohjen e gjuhës maqedonase.
Ndryshe, Qeveria do të duhet të miratojë kandidatin e përzgjedhur nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe më pas propozimi do të shkojë për votim në Kuvend.
Samir Mustafa /SHENJA/