Këtë vit janë paguar 39,6 milionë euro rekord mbështetje për 513 kompani që vitin e kaluar kanë realizuar 153,3 milionë euro investime

Gjithsej 919 kompani në gjashtë muajt e kaluar kanë investuar mbi 500 milionë euro, ndërsa për ato janë paguar 100 milionë euro mbështetje financiare shtetërore. Ky është i gjithë portofoli i Ligjit për mbështetje financiare të investimeve (LMFI), kumtoi sot zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Siç theksoi Bytyqi në konferencën për shtyp në Qeveri, nga viti 2020 është paguar 100 për qind e ndihmës shtetërore, ndërsa këtë vit është paguar shuma rekord prej 39,6 milionë euro për 513 kompani, të cilat në vitin 2022 kanë realizuar 153,3 milionë euro investime.
Këtë vit, theksoi zëvendëskryeminsitri, ka edhe ndarje më të madhe rajonale, 63,3 për qind e mbështetjes është për kompanitë jashtë rajonit të Shkupit.
Bytyqi kujtoi se Plani për rritje ekonomike është vendosur në vitin 2017 dhe pagesat e para për kompanitë u bënë në fund të vitit 2018.
“Deri në vendosjen e Ligjit për mbështetje financiare të investimeve (LMFI) janë mbështetur zero kompani. LMFI ka sjellë edhe trajtim të barabartë edhe për kompanitë vendase edhe të huaja”, nënvizoi Bytyqi në konferencën për shtyp në Qeveri në të cilën mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.