(VIDEO) Besa dhe BDI-ja akuzojnë njëra- tjetrën për lejen e kryyqit në Kodrën e Diellit

(VIDEO) Besa dhe BDI-ja akuzojnë njëra- tjetrën për lejen e kryyqit në Kodrën e Diellit

Inspektorati Komunal i Tetovës informoi se ka vendim për prishjen e kryqit të vendosur në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit. Megjithatë, shefi i Inspektoratit Komunal, Sedat Sulejmani tha se nuk e dinë se kur do të prishet ky objekt i ndërtuar pa leje.

SEDAT SULEJMANI, SHEF I INSPEKTORATIT KOMUNAL NË TETOVË

 “Kryqi ka vendim për prishje, u është dërguar. Kur do prishet? Tani në Tetovë kemi afër 5 mijë objekte që kanë vendim për prishje, e shihni se punojmë edhe kur t’i vijë rendi”

Kryqi u vendos në muajin nëntor 2023 në manastirin “Shën Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit pa leje të Komunës së Tetovës dhe pa pëlqim të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Nga anëtarët e Këshillit të Manastirit të Kodrës së Diellit patën theksuar se nuk kanë kërkuar leje për kryqin, pasi që sipas tyre bëhet fjalë për pajisje urbane për të cilën nuk kërkohet leje.

Vendosja e këtij kryqi po shkakton përplasje dhe tensione midis partive politike në vend.

Lëvizja BESA, e cila është në pushtet në Tetovë e akuzon BDI-në, partinë në pushtetin qendror se hedh fshehurazi gurthemele për ndërtimin e kryqeve.

Partia e drejtuar nga Bilall Kasami thekson se pushteti dhe BDI nuk bëjnë krime vetëm duke zhvatur popullin, por edhe duke manipuluar me dezinformata dhe duke luajtur me ndjenjat etnike e fetare të qytetarëve.

LULZIME AMETI, ZËDHËNËSE E LËVIZJES BESA

“Por, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. BDI bashkë me partnerët e saj, e vendosën kryqin në Kodrën e Diellit dhe tentoi që këtë veprim t’ia mvesh Lëvizjes BESA. Por dështoi, sepse ne me dokumente u dëshmua se si BDI në bashkëpunim me Kishën Ortodokse pronën aktuale të Kishës, nga tokë për kullosa e destinuan në tokë ndërtimore, pas çka u ndërtua edhe kryqi. Por këto politka grueviste, anti qytetare e anti evropiane të BDI-së me të cilat nxitet urrejtje dhe konflikte ndërfetare e ndëretnike, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Dje u vendos edhe një kryq tjetër gjigant në Kumanovë. Por BDI dhe pushteti heshti! Pse?! Sepse në Kumanovë nuk e kanë Bilall Kasamin që ta fajësojnë për veprimet që i bëjnë vetë ata, por kanë kryetar komune të cilin e kanë partner…”

Lëvizja BESA thekson se ky është vizioni i BDI-së, parti e cila pretendon të jetë evropiane, por ende nuk mund të shkëputet nga bashkëpunimi me Nikolla Gruevskin, me të cilin për dhjetë vjet  ndërtuan vetëm përmendore, si ajo e Car Dushanit dhe kryqe në çdo fushë, mal e në çdo qytet.

Në anën tjetër, përfaqësues së degës së BDI-së në Tetovë pretendojnë se udhëheqësit e Komunës së Tetovës, po i keqpërdorin paratë e tetovarëve për të bërë propagandë partiake.

Kujtesa Bajrami, këshilltare e BDI-së në komunën e Tetovës, deklaroi se këta persona paguhen me paratë e tatimpaguesve, ndërsa në vend se të punojnë në dobi të qytetarëve të Tetovës, ata punojnë për të glorifikuar partinë që i ka punësuar dhe kryetarin e Komunës së Tetovës.

KUJTESA BAJRAMI, KËSHILLTARE E BDI-SË NË KOMUNËN E TETOVËS

“Në mungesë të punëve dhe projekteve konkrete, e vetmja gjë që u ka mbetur klanit të mafisë urbane që po udhëheqë aktualisht me Komunën e Tetovës, është që të shpifin, të linçojnë dhe të prodhojnë lajme të rejshme me portalet që i zotojnë, gjithmonë duke dëmtuar buxhetin e tetovarëve. Andaj, nga këtu shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë apel Kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit, që fokusin ta kthej te qytetarët, e jo të lajmet e rrejshme dhe propaganda partiake”

Bajrami ka rikujtuar drejtuesit komunalë se Komuna nuk është vend për rehatimin e militantëve partiakë. /SHENJA/

MARKETING