Familjet e pengjeve izraelite në Gaza protestuan në Tel Aviv

Familjet e pengjeve izraelite në Gaza protestuan në Tel Aviv

Qindra të afërm të pengjeve izraelite në Gaza protestuan të shtunën mbrëma në qendër të Tel Avivit duke kërkuar kthimin e tyre, raporton Anadolu.

Korporata zyrtare transmetuese e Izraelit njoftoi se “qindra familje të pengjeve në Gaza u mblodhën në qendër të Tel Avivit për të kërkuar që qeveria të arrijë menjëherë një marrëveshje për lirimin e tyre”.

Familjet konfirmuan se janë “gati të shtojnë protestat e tyre në çdo kohë për të bërë presion ndaj qeverisë për të negociuar një marrëveshje me Hamasin në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Pas një sulmi më 7 tetor mbi vendbanimet izraelite, grupi palestinez i rezistencës Hamas mori të paktën 239 pengje. Dhjetëra u shkëmbyen me Izraelin gjatë pauzës humanitare shtatë-ditore.

Izraeli pretendon se dhjetëra izraelitë mbahen ende peng nga Hamasi në Gaza, ndërsa Hamasi ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura.

Pas sulmit të Hamasit, Izraeli sulmoi Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 20.258 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe duke plagosur 53.688 të tjerë.

Lufta e ka lënë Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.

MARKETING