(VIDEO) Sulmet izraelite vrasin 76 anëtarë të një familjeje në Gazë

(VIDEO) Sulmet izraelite vrasin 76 anëtarë të një familjeje në Gazë

Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës kanë vazhduar deri në orët e vona të natës të premten me raporte për sulme të vazhdueshme ajrore dhe tokësore.

Një sulm ajror izraelit ka vrarë 76 anëtarë të një familjeje të madhe, thanë zyrtarët e shpëtimit të shtunën, një ditë pasi shefi i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi sërish se në Gazë nuk ka vend të sigurt dhe se ofensiva izraelite, që po vazhdon, po krijon “pengesa të mëdha” në shpërndarjen e ndihmave humanitare. Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë thënë se mbi 20.000 palestinezë janë vrarë gjatë luftës dhe mbi 53.000 janë plagosur.

Në ndërkohë, Ushtria izraelite po përgatitet t’u japë fund sulmeve të saj tokësore në Rripin e Gazës.  Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN të bazuar në burime të paidentifikuara thuhet se “Sipas sukseseve operacionale, ushtria izraelite po përgatitet që në javët e ardhshme të kalojë në fazën e tretë të konfliktit në Gaza”. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se “Faza e tretë përfshin përfundimin e manovrës tokësore në Rripin e Gazës, reduktimin e forcave, çmobilizimin e forcave rezervë, aplikimin e sulmeve ajrore dhe krijimin e zonës tampon në kufirin mes Izraelit dhe Rripit të Gazës”. Më tej theksohet se ushtria izraelite “ka marrë nën kontroll shumicën e zonës në veri të Rripit të Gazës, por se ndodhet përballë vështirësive të mëdha në përparim në rajonin jugor”.

Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga fillimi i sulmeve të saj ndaj Rripit të Gazës janë vrarë 472 ushtarë të saj, ndërsa 139 prej tyre që nga fillimi i operacionit tokësor. Statistikat e ushtrisë tregojnë se 784 oficerë dhe ushtarë janë plagosur që nga 27 tetori kur filluan sulmet tokësore ndaj Rripit të Gazës.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se njerëzit në Gaza po përballen me urinë dhe se shesin mallrat e tyre në këmbim të ushqimit, transmeton Anadolu.

“OBSH-ja dhe partnerët e saj bëjnë thirrje për përmirësimin urgjent të sigurisë ushqimore përmes përshpejtimit të rrjedhës së ndihmave në Gaza për të ndaluar urinë. Duhet të sigurohen sërish shërbimet si shëndeti, uji i pastër si dhe ato higjienike dhe sanitare”, potencoi kreu i OBSH-së. /SHENJA/

MARKETING