Kasami paralajmëroi protesta nëse nuk marrin anëtarin e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot nga Tetova njoftoi se do të protestojnë nëse nuk lejohet në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të ketë një anëtar nga blloku politik opozitar në mesin e partive të shqiptarëve.
Këtë ai e theksoi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë do të ndodhë nëse nuk e kanë anëtarin e tyre në KSHZ, duke theksuar në të njëjtën kohë se kjo është e paraparë me ligjin përkatës zgjedhor.
“Ligji është i qartë dhe parasheh që çdo ndryshim të strukturave të partive në pozitë dhe opozitë, në afat prej 30 ditëve kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë partitë për ndryshim në KSHZ. Nuk qëndron pohimi i kryetarit të Kuvendit se KSHZ mund të funksionojë me një anëtar më pak. Me këtë ai mundohet t’ia mohojë këtë të drejtë opozitës. Ligji është i qartë. Kryetari i Kuvendit nuk i ka dërguar letër Aleancës për Shqiptarët, por dy partive tjera, duke shkelur kështu ligjin”.