Von der Leyen mbërrin në Shkup pasdite, do të takohet me Pendarovskin
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të arrijë sot në Shkup. Sipas njoftimeve, ajo pasdite do të takohet me kryetarin e shtetit Stevo Pendarovski, ndërsa për nesër është paraparë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Tema e bisedës, siç paralajmëroi zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, pritet të jetë rreth reformave të nevojshme si dhe mjeteve shtesë që duhet të marrim si ndihmë nga BE-ja dhe motivim për reformat.
Sipas tij, ajo pritet të shpallë raportet e KE-së për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, shpallja e të cilave është planifikuar për më 8 nëntor, si dhe të prezantojë tiparet themelore të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili duhet të të publikohet deri në fund të këtij viti.
“Është një plan që na lejon të zbatojmë disa politika të BE-së në vendet tona edhe para anëtarësimit. Pra është një lloj integrimi përpara anëtarësimit. Është një plan që duhet të na japë më shumë shanse për të rinjtë tanë, për komunitetin tonë të biznesit dhe një plan që duhet të na japë më shumë shanse për institucionet dhe qytetarët përpara se të anëtarësohemi në BE”, tha Mariçiq.
Von der Leyen do të udhëtojë nga Shkupi për në Prishtinë dhe më pas do të vizitojë Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën.