(VIDEO) Kryeministri i bën thirrje VMRO-së që ta caktojë përfaqësuesin e vet në grupin e punës
Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur takime me kryetarët e katër partive politike, pjesë e koalicionit qeveritar, përfshirë edhe Ali Ahmetin kreun e BDI-së, ku kanë diskutuar për zgjedhjet në vitin 2024. Ai I bëri thirrje VMRO-DPMNE-së që të përcaktojë përfaqësuesin e vet në grupin e punës në Ministrinë e Drejtësisë, ku ndër të tjera do të diskutohet për datën e mbajtjes së zgjedhjeve vitin e ardhshëm.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Në ato takime kemi diskutuar për të gjitha çështjet aktuale në vend, duke përfshirë edhe zgjedhjet, natyrisht. Çfarë mund të them për përgatitjen e zgjedhjeve, në pjesën e kodit zgjedhor. Në fushën e mbajtjes së zgjedhjeve, tashmë ka një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, ku të gjitha partitë politike kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre, ashtu siç është sipas ligjit dhe procedurës. Vetëm VMRO-DPMNE nuk ka përcaktuar përfaqësuesin e saj. Prandaj i nxis që të përcaktojnë përfaqësuesin e tyre, sepse një apo dy parti nuk mund të vendosin për një proces në të cilin marrin pjesë më shumë se parti politike”.
Kovaçevski theksoi se grupi punues përfundimisht duhet në ligj ti harmonizojë rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it dhe ku do të mund të diskutohet edhe për datën e saktë të mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2024.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Zgjedhjet shpallen sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës dhe sipas mandatit të funksionerëve të zgjedhur, këtu e kam fjalën në radhë të parë për Presidentin e Shtetit dhe deputetët dhe normalisht brenda afateve ligjore mund të flitet edhe për finesat. Gjithçka tjetër është mbajtja e mbledhjeve, të cilat janë jashtë formatit ku secili duhet të shpreh mendimin e tij, mendoj se është joinstitucionale”.
Kovaçevski theksoi se çështja e datës së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024 po zgjidhet me bisedime dhe jo si ka ndodhur në të kaluarën kur kryetari i Qeverisë nga Aeroporti e ka caktuar datën e zgjedhjeve. Kovaçevski theksoi se pas vitit 2017 ato praktika janë tejkaluar dhe është ndërtuar një shoqëri demokratike në të cilën të gjitha proceset zhvillohen në institucione dhe janë në përputhje me ligjet.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/