Kurti: Unë ofrova nënshkrimin, Serbia refuzoi të nënshkruajë propozimin e 21 tetorit
Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në platformën X, ka thënë se Vuçiq nuk ka pasur gatishmëri për të nënshkruar propozimin e pranuar më 21 tetor.
“Sot u takova me Presidentin Macron, Kryeministren Meloni, Kancelarin Scholz, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell dhe përfaqësuesin Special për Dielog Lajçak”, ka shkruar Kurti.
“I falënderova secilin për përpjekjet e tyre. Kosova ka miratuar Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e saj, që është një vepër për Kosovën dhe BE-në. Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, rëndësia e sigurisë së Kosovë është parësore, siç është edhe mbajtja e Serbisë përgjegjëse”, deklaroi ai.
Kryeministri Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre.
“Kosova ka pranuar dhe miratuar Marrëveshjen Themelore dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin e BE-së të 21 tetorit. Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes Themelore, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”, ka shkruar Kurti.
Më 21 tetor, pesë emisarët perëndimorë, sollën draftin në Kosovë e Serbi./Telegrafi/
Today I met w/ President Macron, Prime Minister Meloni, Chancellor Scholz, European Council President Charles Michel, HR/VP Borrell, and SR Lajcak. I thanked each of them for their efforts. 🇽🇰 has adopted the Basic Agrmt and its Annex, which is a feat for Kosova and the EU.
— Albin Kurti (@albinkurti) October 26, 2023