Prokuroria inicion hetime për lëvizjen anti-islame që u themelua në Deçan
Ditë më parë në Komunën e Deçanit, një grup personash u mblodhën në një ndërtesë e nga aty dhanë lajmin se kanë themeluar një lëvizje me motive për shqiptarizmin.
“Lëvizja: Braktisja vullnetare e fesë islame”, deklarimet por edhe ato se çka u thanë gjatë daljes në publik të këtij grupi tashmë do të hetohen edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi për KALLXO.com ka thënë se janë iniciuar procedura hetimore për të parë nëse ky grup po shfaq elemente të nxitjes së urrejtjes, përçarjes e mosdurimit.
“Ne si prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”- tha Nikçi për KALLXO.com.
Dalja në publik e këtij grupi të qytetarëve kryesisht nga Deçani ishte më 20 tetor, ndërsa vetëm tri ditë më pas ishte kryetrari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj që mblodhi Këshillin e Bashkësisë Islame në këtë komunë.
“Në takimin e sotshëm me Bashkësinë Islame në Deçan, u dakorduam që të mos i kontribuojmë polarizmit, përçarjes e urrejtjes në mes qytetarëve tanë. Pavarësisht organizimeve dhe thirrjeve që dikush mund të ketë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Deçanit si gjithherë i kontribuojnë bashkëjetesës, harmonisë dhe të mirës për popullin dhe për shtetin e Kosovës”- ka shkruar Ramosaj në një postim në Facebook më 23 tetor 2023.