(VIDEO) Qeveria e pranon gabimin: Gjiza, pinxhuri e feferonat nuk janë luks
Nga dita e premte gjiza, lloje të caktuara të kaçkavallit, ushqimet e fëmijëve pinxhuri i shtëpisë dhe feferonat do të tregtohen me TVSH prej 5%. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli Vendim për ndryshimin e Vendimit për përcaktimin e mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen normës preferenciale të TVSH-së. Vendimi i propozuar nga Ministria e Financave është në drejtim të saktësimit rreth zbatimit të një norme preferenciale prej 5% dhe për mbështetjen e ekonomisë vendore dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
QEVERIA E RMV-SË
“Sipas vendimit, pjesa më e madhe e produkteve ushqimore bazë tatohen me normën preferenciale të TVSH-së 5%. Mes tyre janë produkte të tilla si gjiza, brumi i ngrirë, ushqimi për fëmijë dhe qumështi i adaptuar për foshnja, lloje të caktuara të kaçkavalleve siç është kaçkavalli bimor, pinxhuri i shtëpisë, çajrat bimorë, piperi i kuq, gaufret (waffle) dhe napolitankat, panxhari i konzervuar, feferonat, me ç’rast në vendim specifikohet se tatohen me normën preferenciale të TVSH-së prej 5%.”.
Në seancë u theksua se të gjitha ushqimet për njerëzit tatohen me normë preferenciale të TVSH-së dhe pjesa më e madhe e tyre me normën më të ulët preferenciale prej 5%. Ky vendimi i Qeverisë hyn në fuqi me ditën e shpalljes në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe është paraparë të zbatohet nga 13 tetori i vitit 2023.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/