Katastrofë në Indi! Shpërthejnë digat e liqenit, 102 persona të zhdukur
India po përballet me një tjetër katasrofë të niveleve të larta, pasi shpërthimi i digave të një liqeni akullnajor ka shkaktuar përmbytje shkatërruese, me të paktën 102 persona të zhdukur.
Liqeni akullnajor Lhonak i cili ndodhet në një lartësi të madhe, prej kohësh po përballej me një shtim të nivelit të ujit për shkak të shkrirjes së akullnajave, si pasojë e ngrohjes globale. Ajo që e ka rënduar edhe më tepër të gjithë gjendjen janë shirat e rrëmbyeshëm që kanë pushtuar vendin.
Ushtria po punon për të rivendosur lidhjet telefonike dhe për të ofruar ndihmë mjekësore për të gjithë personat e bllokuar.
Banorëve vendas të prekur iu është premtuar mbështetje dhe dëmshpërblim për gjendjen e vështirë në të cilat ndodhen. Në pamjet satelitore u vu re se liqeni u tkurr me gati dy të tretat në madhësi, një zonë afërsisht e barabartë me rreth 150 fusha futbolli.