Kurti: Vuçiqi e Radojiçiqi si Putini dhe Prigozhini
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia donte që lufta në Kosovë të fillonte të dielën e 24 shtatorit dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dëshiron një luftë tjetër dhe një gjenocid, “sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.
Në një intervistë për Al Jazeera, Kurti tha se sulmi i së dielës në veri të Kosovës nuk ishte “rezistencë civile apo vepër e bandave”, por sulm i “formacioneve të armatosura paraushtarake të pajisura dhe përgatitur nga Beogradi” dhe që “u krye me urdhër të Serbisë”.
I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulme të reja, Kurti u përgjigj se ka informacione të tilla ka shume dhe se ato “grupe të armatosura”, të cilave, siç shtoi ai, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armatim dhe municione, janë vazhdimisht duke kryer stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”, transmeton Telegrafi.
“Nuk përjashtohet një agresion i ri”, tha ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.
Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.
Kurti tha gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët morën përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë Slobodan Milosheviq dhe Zheljko Razhnjatoviq Arkan që, siç ka thënë ai, duan ta kthejnë rajonin deri në vitet e 90-ta, duke shtuar dhe se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Ëagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin “Putin dhe Prigozhin”.
Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se “dëshiron një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.
“Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, tha ai.