(VIDEO) Paralajmëroi futjen e armatimeve në Kisha, apeli i deputetet britanike për Kosovën

(VIDEO) Paralajmëroi futjen e armatimeve në Kisha, apeli i deputetet britanike për Kosovën

Deputetja, Alicia Kearns, ligjvënësja britanike e cila artikuloi për disa muaj me radhë se Serbia po fuste armatim përmes ambulancave në kishat ortodokse në veri të Kosovës, ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një efektiv i Kosovës. Përmes disa reagimeve në Titter, Kearns bën një analizë të asaj që ka ndodhur dhe masave që duhet të marrë bashkimi Evropian, por dhe vetë Britania e Madhe.

ALICIA KEARNS, DEPUTETE E BRITANISË

“Shumë fakte janë vërtetuar pas vrasjes së zyrtarit policor kosovar mirëpo mosndëshkimi prodhon përbuzje ndaj sundimit të rendit dhe ligjit, andaj llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vënë drejtësinë dhe ekuilibrin në zemër të qasjes ndërkombëtare për Serbi-Kosovë”.

Sipas saj trendet e fundit për ndëshkimin e Kosovës dhe përkëdheljen e Vuçiçit gjithnjë e më autokratik na çojnë më thellë në një cikël dhune. Ajo thekson se policia e Kosovës do t’i hetojë grupet paramilitare përgjegjëse për vrasjen e Policit Afrim Bunjaku. Si financohen dhe armatosen ato dhe si i kanë transportuar armët në/nëpër Kosovë. Nga kush marrin instruksione ata?

Ajo thekson se KFOR dhe EULEX duhet të ndihmojnë në hetime dhe të ndajnë të gjithë inteligjencën mbi depot e armëve dhe lëvizjet me qeverinë e Kosovës dhe shtetet anëtare për të ndihmuar në përgjigjen ndaj shqetësimeve rreth përfshirjes së aktorëve nga Beogradi në vrasjen e zyrtarit policor kosovar dhe në bllokadat e orkestruara rrugore.

ALICIA KEARNS, DEPUTETE E BRITANISË

“Nëse imazhet fillestare janë të sakta, KFOR-i duhet t’i hetojë automjetet dhe sistemet e armëve të cilat, tani për tani duhet të supozojmë që janë të rreme, kishin stikerë që kishin emrat e tyre. Ata nuk munden thjesht të pretendojnë që nuk ka shenja të tentimeve apo qëllimeve nga paramilitarët që t’i imitojnë ata”.

Sipas saj, Mbretëria e Bashkuar si anëtare e Quintit duhet të marrë rol më aktiv në dialogun e paqes midis Serbisë dhe Kosovës. Ajo theksoi se  BE-ja duhet t’i angazhojë pesë shtetet që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për ta mbështetur trajektoren e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, duke e forcuar paprekshmërinë e integritetin të saj territorial, ndërsa Mbretëria e Bashkuar duhet t’i udhëheqë përpjekjet për aleancë sigurie midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, shteteve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës derisa Kosova të fitojë anëtarësim të plotë në NATO.

/SHENJA/

 

MARKETING