(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, Mariçiq: Qeveria do të bisedojë veçmas me çdo deputet

(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, Mariçiq: Qeveria do të bisedojë veçmas me çdo deputet

Komunikimi me secilin deputet do të intensifikohet në periudhën e ardhshme. Presim që në shtator-tetor të ndahen qartë dy blloqet politike, njëri i cili është për anëtarësim sa më të shpejtë në BE dhe tjetri i cili është kundër anëtarësimit në BE dhe që beson se kemi kohë për të pritur. Pritja është një strategji që do ta zbrazë vendin tonë nga të rinjtë dhe që do të vrasë shpresën për BE-në. Kështu tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq në një intervistë në TVM 2. Mariçiq theksoi se nëse vërtet duam të vazhdojmë me shtetet negociuese dhe ta mbajmë atë pako, që të kemi mundësi të hyjmë në BE deri në vitin 2030, ndryshimet kushtetuese janë pika e parë.

BOJAN MARIÇIÇ, ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

“Ne kemi bërë gjithçka, po bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që këto ndryshime kushtetuese të miratohen brenda afatit. Besoj se do t’ia dalim sepse opsioni tjetër është që të largohemi nga kjo rrugë e shteteve që tashmë po negociojnë, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia dhe të qëndrojmë në një grup shtetesh që janë shumë larg negociatave. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin kandidat vitin e kaluar, Kosova është në një proces krejtësisht tjetër për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar vitin e kaluar. Ne i kemi kaluar ato faza shumë kohë më parë.

Zëvendëskryeministri është optimist se të gjithë deputetët në Kuvend do ta kuptojnë se në çfarë momenti të favorshëm është Maqedonia e Veriut dhe momenti i zgjerimit të BE-së, sepse siç tha Mariçiq, “ka sinjale të qarta se viti 2030 është një afat real dhe i arritshëm, por siç theksoi ai, kjo nuk do të thotë se na jepet të gjithëve, varet se si pozicionohemi.

BOJAN MARIÇIÇ, ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

“Beteja jonë është të qëndrojmë në një paketë me Shqipërinë, të përshpejtojmë dhe të arrijmë ato vende që kanë negociuar prej 10 vitesh. Synimi ynë është që herën tjetër kur të hapet dera e anëtarësimit në BE, të jemi ne ata që do të hyjmë. Kjo varet vetëm nga ne për momentin dhe si do t’i kuptojmë detyrat tona dhe si do t’i kryejmë detyrat. Nuk ka të tjerë që do të na pengojnë të ecim përpara, vetëm ne, me bllokadë të brendshme ose duke mos kryer detyrat dhe duke mos përfunduar reformat, mund të futemi në kategorinë e shteteve që kanë probleme serioze strukturore të brendshme”.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mariçiq mendon se ato nuk duhet të jenë pengesë për vazhdimin e negociatave me BE-në, sepse me to nuk ka ndryshuar asgjë thelbësore, u janë shtuar vetëm disa komunitete atyre që tashmë janë futur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001 dhe se përgjegjësia është qartësisht e vendosur tek opozita dhe tek deputetët që duhet të votojnë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING