Protestë në Tetovë, kërkohet përgjegjësi për djegien e spitalit modular (VIDEO)

Protestë në Tetovë, kërkohet përgjegjësi për djegien e spitalit modular (VIDEO)

“Drejtësi, jo pazare”  “14 jetë të humbura, e vërteta të del në shesh” dhe “Korrupsioni vret” ishin disa nga porositë që mbanin në duar qindra protestues, familjarë të të vdekurve në spitalin modular të Tetovës. Protestuesit me dhimbje thanë se sot njejtë si para dy viteve i kanë ende të freskëta britmat dhe të qarat e familjarëve që u dogjën para syve të tyre dhe ata ishin të pafuqishëm që ti shpëtojnë. Sipas tyre familjarët u vdiqën vetëm sepse nuk është  respektuar as një standart i ndërtimit. Ibin Imshija, familjar i të vdekurve tha se në vendin tonë nuk respektohet jeta njerëzore dhe theksoi se për 14 viktimat por ka zero ditë burg.

 “U munduan të na frikësojnë dhe të na heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro dhe tentuan ti fshehin fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Tymi i zi që atë natë mbuloi qytetin, sot po mbulon drejtësinë e këtij vendi. Besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve, pa asnjë kriter vetëm për përfitime materiale. Korrupsioni vret. Të gjithë politikanët flasin për integrim në BE, kurse nuk respektohet jeta njerëzore. 14 viktima, zero ditë burg”, tha Ibin Emshija, protestues.

Ai më tej deklaroi se gjyqësori dhe prokuroria janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar, korrupsionit, të keqës dhe oligarkisë. Anashkalimi i ekspertizës gjermane vetëm që të amnistohen fajtorët e vërtetë është skandal i sistemit gjyqësor, potencoi Emshija. Ai bëri të ditur se urgjentisht kërkojnë shkarkimin e prokurorëve.

“Ne si familjarë urgjentisht kërkojmë të bëhet hapja e procedurës gjyqësore për shkaqe të zjarrit, rigjykim dhe rishqyrtim i vendimeve nga gjykimi paraprak në gjykatën e Tetovës. Shkarkim i prokurorit republikan  Joveski, bashkë me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu, prokuroren Zorica Pavlloviq, Dejan Petrevski, Hanefi Ameti, dhe të tjerë të involvuar në këtë krim. Pa drejtësi nuk ka qetësi”, shtoi Ibin Emshija, protestues.

Mumin Ismaili i cili kishte përjetuar zjarrin brenda në spitalin modular, i trishtuar thotë se i ngjan sikur të ketë ndodhur sot ajo fatkeqësi në të cilën i mbeti e vdekur nëna. Ai  thotë se për 3 minuta atë ditë është djegur i tërë spitali modular.

 “Sot 2 vite kaluan nga tragjedia në spitalin modular, unë mund të them se është si të më ketë ndodhur sot, me këtë protestë e ndjej veten si sot të më digjet nëna jo para dy viteve, kështu që nëna ime atë ditë ka qenë ora 08:55 kur nji pacientes me emrin Maria, që prindërit I ka këtu në protestë I keqësohet gjendja dhe erdhën mjekët me mjetet e veta për tia dhënë ndihmën e pare po për momentin debervatori nisi flake dhe u përfshi I gjithë spitali modular u dogj për 3 minuta”, deklaroi Mumin Ismaili, protestues.

Protestuesit deklaruan se protesten në të ardhmen do ta zgjerojnë edhe në qytete të tjera si dhe në Shkup, deri sa të gjithë fajtorët t’i marrin dënimet e merituara.

Përndryshe më 08 shtator të vitit 2021 si pasojë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 persona. Për zjarrin tragjik Prokuroria ngriti aktakuza ndaj ish-drejtorit mjekësor të Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtorit ekononmik Artan Etemi, mjekut përgjegjës për kovid-qendrën Boban Vuçevski, si dhe Spitalit të Tetovës si person juridik. Me vendim të gjykatës, Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, ndërsa Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Kurse Spitali i Tetovës u dënua me 1 milionë denarë. Pas vendimit të gjykatës, Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) publikoi një dokumentar në lidhje me tragjedinë në spitalin modular, i cili zbuloi lëshime të shumta në procesin e tenderimit dhe ndërtimit të spitalit modular në Tetovë.

Medina Ajeti /SHENJA/

MARKETING