Maqedonia pret Italinë, flasin Milevski, Bardhi dhe Elmasi

Maqedonia pret Italinë, flasin Milevski, Bardhi dhe Elmasi

Italia e madhe do të jetë mysafire e përfaqësues së Maqedonisë së Veriut nesër mbrëma në Shkup për duelin e vlefshëm të eliminatoreve për Kampionatin Europian të vitit 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Italianët në Shkup vijnë për tu “hakmarrur” për humbjen në Palermon që iu kushtoi me eliminim nga plej of-i për Botërorin e Katarit. Te tabori i Maqedonisë së Veriut janë të vetdijshëm për këtë dhe para një ditë para kësaj sfide të rëndësishme para gazetarëve folën seleksionuesi, Bllagoja Milevski së bashku me kapitenin Enis Bardhi dhe reprezentuesin tjetër Elif Elmas.

Bllagoja Milevski, seleksionues
“Kur luani me një kundërshtarë si Italia, nuk mund të kesh presion rezultati. Megjithatë, dëshira për fitore gjithnjë është prezente, këtu nuk ka dilemë se ajo ekziston. Dy ndeshjet e fundit i takojnë së kaluarës, Ukraina dhe Anglia janë pas nesh, dhe nuk duhet të rikthehemi. Italia vjen në Shkup, do të arrijë me një seleksionues të ri, një strateg mjaft cilësor, i cili edhe ju e dini se ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm me Napolin. Patjetër që duhet të jemi të disciplinuar dhe taktikisht të përgjegjshëm. Të vihemi që të gjithë në funksion të skuadrës, vetëm në atë mënyrë do të mund të bëjmë ndonjë gjë. Kjo është një ndeshje krejtësisht e re, me energji të re, momentin i ri. Energjia dhe motive nuk na mungojnë.”

Enis Bardhi, kapiten
“Ky është një moment shumë emocionues për mua. Të jesh kapiten i Maqedonisë nuk është punë e vogël. Këtu ka shumë drejtues dhe kapiten, të cilët edhe pse nuk mbajnë shiritin e kapitenit, janë të gjithë bartës të përfaqësues. Po hapim një faqe të re, ne dëshirojmë një rezultat pozitiv, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por besojmë në veten tonë. Kur një skuadër pëson ndryshime nuk është e lehtë, kemi lojtarë të rinj që vijnë në përfaqësuese, kështu që nuk është e lehtë ta kalosh atë ndryshim, besoj se kemi përvojën për ta menaxhuar këtë situatë dhe për të marrë një rezultat të mirë. Vetëm të bashkuar mund të arrijmë rezultatet e dëshiruara”.

Elif Elmas, reprezentues
“E njoh mirë Spalletin. Pres që të zbresin me motiv të lartë, të kenë lojë me shumë posedim të topit. Lojë në të cilën Italia do të dominojë. Do të shohim nëse një gjë e tillë do të ju realizohet. Gjithsesi se kam biseduar në këtë temë me bashkëlojtarët e mi te Napoli. Megjithatë, jemi profesionistë dhe nuk ka asnjë sentimentalizëm. Do të dalim në terren për të bërë atë që seleksionuesi do ta kërkojë nga ne. Italia do të dalë në fushë për të fituar, ne duhet të luajmë në mënyrë perfekte, nëse uam që të arrijmë një rezultat pozitiv.”

 

Përfaqësuesja e vendit sonte në mbrëmje do të ketë stërvitjen zyrtare ku do ti zhvillojë përgatitjet e fundit për sfidën me Italinë dhe seleksionuesi Milevski do të bëj përzgjedhjen e formacionit me të cilin do të luajë nesër ndaj italianëve.

Kujtojmë se Italia nuk do të ketë stërvitje në Shkup para ndeshjes me Maqedoninë. Ata në vendin tonë vijnë me seleksionues të ri, me Spaletin që mori udhëheqjen e “Azurëve” pas largimit të Roberto Mançinit.

Përballja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë do të zhvillohet nesër mbrëma në arenën “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur nga ora 20:45.

Gazetar: Aziz Sahiti

MARKETING