Visar Musliu: Të zhvillojmë një ndeshje të madhe ndaj Italisë

Visar Musliu: Të zhvillojmë një ndeshje të madhe ndaj Italisë

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut po bëhet gati për ndeshjen e madhe ndaj Italisë që i pret të shtunën në Shkup, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024. Reprezentuesit e vendit janë grumbulluar në Shkup nga dita e hënë dhe tre ditë me radhë po vazhdojnë përgatitjet për sfidën ndaj përfaqësueses italiane, por edhe për Maltën. Gjithsesi në plan të parë është përballja me Italinë, ndërsa nga tabori i Maqedonisë ka ndarë pritshmëritë, mbrojtësi Visar Musliu.

 

Visar Musliu, reprezentues
“Normal ndeshja ndaj Italisë, kundër kampionëve të Europës, është një ndeshje e veçant, pasi ne vijmë nga një moment jo i mirë dhe besoj se ky është një moment i mirë që duhet të përgatitemi fizikisht, taktikisht, teknikisht në të gjitha aspektet, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të zhvillojmë një ndeshje të madhe ndaj Italisë”  

Musliu thotë se ekipi përfaqësues kërkon të hap një faqe të re dhe se humbjet nga Anglia dhe Ukrainë i takojnë historisë.


Visar Musliu, reprezentues
“Ne si ekip kërkojmë të hapim një faqe të re. Ajo që ka ndodhur që ka kaluar është në histori dhe besoj përveç se duhet të shijuar këtë ndeshje, duhet edhe të nxjerrim rezultat pozitiv ndaj Italisë. Atmosfera është pozitive dhe fundja ne jemi profesionist dhe gjithmonë duhet të shikojmë vetëm përpara. Besoj se kemi kualitet edhe pse kemi disa mungesa, por kjo është përfaqësuese dhe nuk ka alibi”.  

Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë do të zhvillohet të shtunën mbrëma në arenën “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur nga ora 20:45.


Gazetar: Aziz Sahiti  

MARKETING