(VIDEO) Xhaferi: Seanca për ndryshimet kushtetuese do të vazhdojë kur të ketë kushte

Mundësia që njëzet deputetë të kërkojnë mbajtjen e seancës së re nuk është obligim që kryetari i Kuvendit të thërrasë seancë, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fillim të seancës së sotme të 125-të, duke iu përgjigjur kërkesës së deputetes Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE për mbajtjen e vazhdimit të seancës së 123-të për votimin e amendamenteve kushtetuese.

Në fillim të seancës së 125-të të Kuvendit, kryeparlamentari u përgjigj se baza e kërkesës ishte joadekuate. Ai shtoi se vazhdimi i seancës së ndërprerë është në kompetencë ekskluzive të kryetarit të Kuvendit.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I PARLAMENTIT

“Paragrafi 5 i nenit 81 është i qartë, preciz dhe vendimtar në kuptimin që seanca e ndërprerë është në kompetencë ekskluzive të Kryetarit të Kuvendit, kur ai vazhdon me atë seancë. Në fakt, si shumë seanca të tjera që  presin vazhdimin për disa gjëra që ju dhe opinioni tashmë i dini, për shkak të mosveprimit të komisioneve përkatëse”.

Ai shtoi se seanca e 123-të do të vazhdojë kur të ketë kushte për të vazhduar.

Stojanovska nga VMRO-DPMNE tha se seanca e 18 gushtit është mbyllur pa asnjë shpjegim dhe ka kërkuar nga Xhaferi, duke iu referuar nenit 67 paragrafi 2 të Rregullores së punës dhe sipas nënshkrimeve të njëzet deputetëve të kësaj partie, që të thirret vazhdimi i kësaj séance.

Kryeparlamentari ka ndërprerë seancën për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht. Rendi i ditës i seancës në Kuvend për fillimin e procedurës për ndryshime kushtetuese u miratua me 70 vota “pro”, dhe pas shterjes së diskutimit për propozim-vendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës, kryeparlamentari  Xhaferi e shtyu votimin deri në sigurimin e dy të tretave të shumicës.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING