(VIDEO) Pllakë përkujtimore për 8 policët e vrarë në Lagjen e Trimave në Kumanovë
Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, shpalosi pllakë përkujtimore në nder të 8 policëve të vrarë në konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave”. Spasovski bashkë me delegacionin e MPB, kujtuan ngjarjet e viti 2015 në Kumanovë, duke e quajtur këtë rast si “sulm terrorist”.
Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm
“Asnjëherë nuk do të harrohet ai maj i kobshëm i vitit 2015, kur 8 pjesëtarët e MPB-së këtu, në Kumanovë, e treguan kulmin e patriotizmit, duke sakrifikuar jetët e tyre në sulmin terrorist të armatosur në Lagjen e Trimave. Asgjë nuk është e njëjtë nga ajo ditë, për familjarët, për shokët dhe kolegët nga Njësiti Special Antiterrorist ‘Tigrat’ dhe Njësitin për Ndërhyrje të Shpejtë, pjesëtarë të të cilit ishin edhe ata”.
Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në përleshjen e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, një grup prej rreth 40 personash u përballën me forcat shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq grupi ka humbur 10 persona.
Ndonëse rasti ka epilog gjyqësor, madje të finalizuar në Maqedoninë e Veriut, me vendim të Gjykatës Supreme, e vërteta për këtë rast ende nuk është zbardhur tërësisht pasi ende nuk dihet se kush ishin organizatorët e vërtetë të rastit.
Për të akuzuarit, u shqiptuan 746 vjet burg dhe 7 dënime me burg të përjetshëm për veprën “terrorizëm” , ndërsa 4 persona janë liruar.
Emine Ismaili /SHENJA/