Von der Leyen me porosi për ndryshimet kushtetuese: Të mos humbet kjo mundësi
Zhvillimi i fundit i ngjarjeve në kuadër të nisjes së procesit të ndryshimeve kushtetuese për të cilat vendi ka mbështetjen e BE-së për të vazhduar procesin e integrimit evropian, ishte tema e bisedës në takimin e sotëm në Athinë mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës në Athinë, me rastin e 20-vjetorit të “Deklaratës së Selanikut” në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, u theksua rëndësia e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese për rrjedhën e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit, thuhet në shërbimin për shtyp të Qeverisë.
Kryeministri Kovaçevski dhe presidentja e KE-së Von der Leyen, njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë, shkëmbyen mendime për rrjedhën e procesit të shqyrtimit dhe hapjen e pritur të grupeve të para të negociatave.
Të dy bashkëbiseduesit iu referuan përfitimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor nga plani i ri i rritjes së Presidentit Von der Leyen, si afrimi ndaj tregut të përbashkët të BE-së dhe thellimi i integrimit ekonomik rajonal, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për secilin prej vendeve.
“Është thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të shpejtojnë reformat themelore, për të cilat BE-ja do të rrisë fondet e para-anëtarësimit për vendet e rajonit”, ka thënë Von Der Leyen.
Duke folur për avantazhet e anëtarësimit në BE, edhe një herë u theksua se është me rëndësi kyçe që të mos humbet kjo mundësi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union.
Në takim u diskutua edhe për kushtet dhe perspektivat e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian i të cilëve ka rëndësi gjeostrategjike dhe të sigurisë për mbarë Evropën.