Kryetarja e Qytetit të Shkupit kërkon heqjen e emrit të rrugës “Adem Demaçi” (VIDEO)
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka iniciuar iniciativë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, për rikthimin e emrit “Brigada e Dytë Maqedonase” e cila nga Këshilli i mëparshëm është ndryshuar në “Adem Demaçi”. “U bëjë thirrje Këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të votojnë në favor të këtij propozimi vendimi, me të cilën do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarë të Brigadës së Dytë të Maqedonisë nga të gjithë etnikumet të cilët kanë dhënë jetën e tyre në mbrojtje të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
Ajo ka apeluar që kjo iniciativë të mos politizohet e as të mos nxiten tensionet ndëretnike, posaçërisht për shkak faktit, thotë ajo, se pjesa më e madhe e heronjve përpos maqedonas kanë qenë pikërisht shqiptarë, romë e vllehë.
Danella Arsovska, ka dënuar edhe retorikën nacionaliste të Albin Kurtit, dhe i ka propozuar që në Prishtinë, një rrugë të emërohet Todor Aleksandar, i cili, sipas saj, ka bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Azem Bejtën dhe Bajram Currin.
Pasi të premten u përurua emërtimi i ri i kësaj rruge, në të cilën ngjarje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, në opinion vërshuan një lum reagimesh. Edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski gjeti rastin për të thënë se mënyra e realizimit të idesë për riemërtim të rrugës në Komunën e Çairit, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet. Ai shtoi se pret që shërbimet inspektuese kompetente të verifikojnë se nëse gjatë sjelljes së vendimit është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë. Kjo deklaratë e Pendarovskit, nuk u prit mirë tek politikanët shqipfolës.
Enis Murtezi /SHENJA/