(VIDEO) Shtatë vjet nga vërshimet në Hasanbeg, humbën jetën 22 persona

(VIDEO) Shtatë vjet nga vërshimet në Hasanbeg, humbën jetën 22 persona

Data 6 gusht i vitit 2016, mbetet kujtimi më i hidhur për banorët e Hasanbegut. Pamje nga më të frikshmet, njerëz që nuk mund të shpëtonin, familjarë që kërkonin të afërmit e tyre, të tjerë që mundoheshin të strehoheshin, shtëpi dhe gjësende të tjera që shkatërroheshin dhe shpresa të shuara për jetë. Këto varg ngjarjesh ndodhën pasditën e 6 gushtit të 7 viteve më parë. Vërshimet vdekje prurëse dhe shkatërruese ndodhën në zonën e Hasanbegut, Stajkovcës, Straçincës, Haraçinës dhe Rashtakut të Shkupit. Kujtimi më i trishtë mbetet, Elifeja 16 muajshe, trupi i së cilës edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur, edhe pse për të u bënë kërkime të shumta. Ndërsa gjithsej, humbën 22 jetë njerëzish. Poashtu u shkaktuan edhe dëme të shumta materiale, ku u dëmtuan shumë shtëpi, rrugë, objekte, biznese e makina, drunjë të rënë, serrat e mbjellura në këtë zonë si dhe dëme tjera. Mbi 5000 familje kishin pësuar dëme të mëdha, ose shtëpitë u ishin bërë të pabanueshme, ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua tërësisht.
Për të gjithë banorët e këtij rajonit, do të jenë kujtime të pashlyeshme në memorien e tyre, ku nëpër sytë e tyre i kishin humbur familjarët, i kishin parë tek sa shtëpitë e tyre po i kaplonte uji dhe ishin krejtësisht duarkryq, pasi nuk mund ti dilnin mbanë katastrofës natyrore që ju kishte ndodhur.
Përndryshe, ende sot e kësaj dite shteti nuk ka dalë me ekspertizë se çfarë e shkaktoi vërshimin dhe asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi për insfrastrukturën e dobët në këtë pjesë të Shkupit, që vetëm ia ka lehtësuar rrjedhën ujit. Përgjigja e vetme e autoriteteve ka qenë se kjo është një fatkeqësi natyrore.
Natën e 6 gushtit, mbi një mijë qytetarë ishin evakuuar, nga këto zona. Ndërkaq, më datë 8 gusht, u shpall ditë zie. Më pas, nuk ka munguar ndihma e gjithanshme dhe solidariteti me banorët e prekur të këtyre zonave, nga individ, shoqata, qytete e shtete të tjera.
Gjatë 24 orëve në 6 gushtin e vitit 2016 në Shkup kishin rënë 92,9 litra shi në një metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të lig kishte pasur mbi 800 vetëtima.
Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING