(VIDEO) Keqpërdorimi i fondeve IPA, Maqedonia e Veriut do t’ia kthejë BE-së 660 mijë euro

Arka e shtetit do të jetë për 660 000 euro më pak, pasi që këto para duhet t’ia kthejnë Bashkimit Europian për shkak të keqpërdorimit të fondeve IPA. Shërbimi Europian Kundër  Mashtrimit –OLAF i cili ka hapur 18 lëndë kundër Maqedonisë së Veriut për keqpërdorimin e Fondeve Europiane  shpalosi lëndën e parë.   Bëhet fjalë për një projekt të vitit 2015, për softuer në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave, për të cilin Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit  ka konstatuar parregullsi dhe kërkon që shteti t’i kthejë paratë.

Këtë e konfirmoi edhe vetë ministri I bujqësisë, Lupço Nikollovski, i cili bëri me dije se hetimi tashmë ka përfunduar dhe ka një rast konkret me veprime konkrete ligjore për rastin. Rasti shton më tej ai është dërguar në Prokurorinë Themelore Publike kundër krimit të organizuar, ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave, apelon që rasti të zbardhet plotësisht.

Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave

“Kemi një rast të OLAF-it që është përfunduar me rekomandim. Është një projekt i vitit 2015, por që nuk ka të bëjë me IPARD-in, por me mbështetjen IPA të MBPEU për softuer të caktuar për të cilët shteti duhet të kthejë paratë. OLAF ka bërë një procedurë dhe ka konstatuar se ka parregullsi, prandaj rekomandon që shteti t’i kthejë fondet. Lidhur me rastin, në njërën nga seancat e fundit, Qeveria ka marrë vendim sipas të gjitha procedurave dhe lënda është dërguar në Prokurori”.

Ambasadori evropian David Geer para disa ditësh njoftoi se subjekte të ndryshme nga Maqedonia e Veriut janë pjesë e hetimeve që i bën Shërbimi Evropian kundër Mashtrimit, për keqpërdorim të mjeteve nga fondet evropiane në vend.  Ai sqaroi se, nga 36 hetimet në Ballkanin Perëndimor, 18 kishin të bëjnë me keqpërdorimin e fondeve evropiane në Maqedoninë e Veriut.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING