Një shtetas rumun është shpëtuar përmes numrit 112 në bashkëpunim me shërbimet e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë
Një shtetas rumun i cili kishte probleme me zemrën, ndërsa po qëndronte në Gjevgjeli, është shpëtuar përmes Numrit të vetëm për raste emergjente 112 në bashkëpunim me shërbimet e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave bëjnë të ditur se telefonata është pranuar mbrëmë vonë dhe se me shumë gjasa për shkak të afërsisë së kufirit telefonata është pranuar fillimisht në një stacion bazë në Greqi, pas së cilës shërbimi i Greqisë ka kontaktuar me shërbimin në Maqedoninë e Veriut dhe pasi ishte gjetur shtetasi rumun dhe me ndërhyrjen e Ndihmës së Mjekësisë Emergjente nga Gjevgjelia, ai është shpëtuar.
“Ky rast i bashkëpunimit ndërkufitar, pra bashkëpunimit ndërshtetëror ndërmjet dy vendeve (Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Greqisë), për të shpëtuar një qytetar nga një vend i tretë (Republika e Rumanisë) pasqyron mundësinë e shpëtimit të jetëve të qytetarëve të çdo vendi evropian nëse ndodhen në një vend që është në sistemin e numrit të vetëm evropian të urgjencës 112”, thonë nga QMK.