(VIDEO) Të mbijetuarit e tërmetit rikujtojnë tmerrin që përjetuan para 60 vjetëve
Sot bëhen plot 60 vjet nga tërmeti katastrofik që kishte goditur Shkupin më 26 korrik të vitit 1963. Banorët e Shkupit atë mëngjes në orën 05 e 17 minuta u zgjuan në rrënoja e lëkundje të forta nga tërmeti në të cilin humbën jetën 1070 persona dhe u plagosën 3000 të tjerë. Shkupjanët të cilët kishin përjetuar tërmetin, rrëfejnë për televizionin “Shenja” momentet e tyre trishtuese, të cilat thonë se nuk do ti harrojnë asnjëherë. Ata thonë se papritmas e gjeten veten në një Shkup të rënuar dhe zemrat e tyre që në ato momente dridheshin më shumë se lëkundjet e atij tërmeti.
QYTETAR
“Më kujtohet shumë mirë, shtëpia na u patë rrëzuar, gjyshi im vraponte nga unë dhe më thoshte diçka po dridhet, babai im ishte në katin tjetër të shtëpisë dhe arriti të shpëtojë nëpërmjet një tavoline, ishte e tmershme. Unë isha 20 vjeçar sapo isha duke ndjekur një zanat. Ishte e papritur, ndjesia ishte shumë e keqe, gjithçka ishte shkatërruar. Vraponim pas familjarëve e fqinjëve të shihnim se a janë gjallë dhe mirë”.
QYTETAR
“Unë kam qenë 6 vjeç. Vështirë, çdo here ka qenë vështirë, tërmeti çdo kund ku bëhet është vështirë shumë, po tash ka ndodh ajo dhe e dimë që ka qenë një katastrofë e madhe dhe mbahet mend çdo herë, do të mbahet mend dhe do të duhet ta përkujtojmë sepse Shkupi ka qenë I shkatërruar I gjithë dhe mandej ka fillu ai rindërtimi I Shkupit dhe tash është ky që është. Imazh po kam sespe e di që shtëpia ku kam jetu atëherë u shkatërrua e gjitha dhe kemi qenë vetëm në rrugë mandej krejt dhe vështirsia më e madhe ka qenë se si të ikim pastaj prej Shkupit, e kishim vetëm trenin sepse edhe rrugës nuk mundeshim të ecnim se çdo here e kishim atë frikën se do të rrëzohen sërish ndërtesat, ka qenë një moment I vështirë sespe ka qenë mëngjes,4 e 17 sa më kujtohet mua. Pastaj kemi shku çdo kush tek familjarët që I kemi pas më afër, përshembull neve kemi shku në Komogllav në një fshat afër Ferizajit kemi ndejt aty 6 muaj e mandej jemi kthy, pastaj kan fillu rindërtimet”.
QYTETAR
“Si nuk më kujtohet 15 vjeçar kam qenë atëherë, unë isha në fshatin Katllanovë dhe e kujtoj shumë mire ngjarjen, aty ndërtohej një urë dhe kur ndodhi tërmeti ata menduan që ura u shemb dhe të gjithë puntorët që ishin duke punuar filluan të vraponin, këtë kur nuk mundem ta harroj. Pastaj filluan të ecnin kamione me njerëz, kishim familjarë këtu në qytet dhe nuk kishin informacione se si e kanë gjendjen. Këtu vendi ishte i mbushur me shatore. Pastaj neve si fëmijë na dërguan në slloveni dhe në shtator u kthyem se kishim shkollën”
Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Nga tragjedia e Shkupit u trondit dhe u angazhua e gjithë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bëri apel te të gjitha organizatat për ushqime për fëmijët e Shkupit. Unioni implementar dërgoi rekomandim deri te të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në rindërtimin e qytetit.Organizatat humanitare në shumë vende u përfshinë në mbledhjen e ndihmave për Shkupin. Kështu, Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar. Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar. Më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për t’i dhënë ndihmë Shkupit. Më 14 tetor, pas diskutimit dy orësh, Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara njëzëri miratoi rezolutën për t’i dhënë ndihmë qeverisë së atëhershme jugosllave gjatë rikonstruktimit të Shkupit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/