Koreja e Veriut lëshon dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

Koreja e Veriut lëshon dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në orët para të agimit të mërkurën, në atë që disa analistë në Seul thonë se mund të jetë një kërcënim i tërthortë kundër nëndetëses bërthamore strategjike amerikane që u ankorua në portin e Busanit të Koresë së Jugut disa orë më parë.

Dy raketat balistike, të lëshuara nga zona Sunan pranë kryeqytetit Phenian, u zbuluan midis orës 3:30 dhe 3:46 të mëngjesit, sipas Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Koresë së Jugut. Raketat përshkuan një distancë rreth 550 kilometra përpara se të binin në detë, në lindje të Gadishullit Korean, tha ai.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, tha se rrezja e raketave ishte deri në 600 kilometra dhe kishin një lartësi maksimale rreth 50 kilometra, duke thënë se ka mundësi që raketat të kishin një trajektore të parregullt.
Lëshimi i raketave është i papranueshëm, tha shefi i mbrojtjes japoneze, duke shtuar se Ministria e Jashtme e Japonisë ka paraqitur një notë proteste.

Distanca midis Sunan-it dhe Busan-it, ku është ankoruar nëndetësja USS Kentucky, është pikërisht pesëqind e pesëdhjetë kilometra, vëren Kim Dong Yup, profesor i studimeve ushtarake dhe të sigurisë në Universitetin e Studimeve të Koresë së Veriut në Seul.

Ka të ngjarë që Koreja e Veriut, e cila është në periudhën e stërvitjes ushtarake verore, të njoftojë së shpejti se ka realizuar një provë për të simuluar shpërthimin e një mbushje bërthamore taktike të montuar në versionin e saj të raketës Iskander mbi portin jugor të Koresë së Jugut, ku dihet se ndodhet nëndetësja amerikane me raketa balistike, tha zoti Kim.

Koreja e Veriut ka paralajmëruar për javë të tëra kundër vendosjes së nëndetëses bërthamore amerikane, e cila mund të mbajë 20 raketa balistike Trident II, të afta për të përshkuar rreth 12,000 kilometra me mbushje të shumta bërthamore.

Në muajin prill, Shtetet e Bashkuara i premtuan Koresë së Jugut se do të rrisin më tej praninë strategjike në Gadishullin Korean, siç dëshmon ankorimi i nëndetëses bërthamore amerikane të pajisur me raketa balistike.

Ky është dislokimi i parë që nga marsi i vitit 1981 kur nëndetësja amerikane me raketa balistike USS Robert E. Lee u ankorua në Korenë e Jugut.

Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, paralajmëroi më herët se: “SHBA-ja duhet të jetë e vetëdijshme se mënyra dhe shtrirja e kundërveprimit të Phenianit mund të jenë më të lira me rritjen e pranisë strategjike në gadishull, sipas medias shtetërore koreanoveriore javën e kaluar.

Ndërkohë, Koreja e Veriut nuk e ka përmendur ende ushtarin amerikan, i cili sipas Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin “me dashje dhe pa autorizim” kaloi në territorin komunist pasditen e së martës, në kufirin shumë të fortifikuar që ndan dy Koretë, teknikisht ende në luftë.

Ushtari 23-vjeçar, Travis King, kaloi me vrap gjatë një turneu orientues në Zonën e Përbashkët të Sigurisë, sipas zyrtarëve amerikanë.

Gjithashtu, është e paqartë se si ushtari arriti në zonën e sigurisë nga aeroporti ndërkombëtar në Incheon, rreth 85 kilometra larg, ku supozohej se ai do të nisej me avion drejt Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me masa disiplinore, sipas njoftimeve./VOA

MARKETING