Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton mbërrin në Tiranë, Rama: Miku i përjetshëm i kombit shqiptar

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton mbërrin në Tiranë, Rama: Miku i përjetshëm i kombit shqiptar

Ish presidenti amerikan, Bill Klinton ka mbërritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas është nisur drejt Tiranës.
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës viziton sot për herë të parë tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri më 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.

Klinton është pritur nga kryeministri Edi Rama, i cili e quan mikun e përjetshëm të kombit shqiptar.
“Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri. Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët”, shkruan Rama në Facebook.
Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të pritet me një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryeministri Edi Rama. Gjatë ceremonisë shtetërore, Klinton do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

Ceremonia e nderit do të pasohet edhe nga fjalimi i Presidentit Klinton në orën 19:25.

Vizita e papritur e Klinton u paralajmërua nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili me nota misteri tha se kishte një dhuratë të madhe më datë 4 korrik për shqiptarët.

Ish-presidenti amerikan njihet edhe si president nderi për shqiptarët për shkak të ndikimit pozitiv që ka patur për Shqipërinë e Kosovën. Presidenca e Klinton ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK-së.

Në kuadër të vizitës së Presidentit të 42-të të SHBA-ve Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e ish-përfaqësuesit të lartë të shtetit amerikan, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, i cili do të zhvillojë takime në datat 3 dhe 4 korrik 2023, në Tiranë.

Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët: Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30. Rrugë të tjera që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

MARKETING