Aleksis Cipras, kryeministri i vetëm grek që ka realizuar vizitë zyrtare në Shkup

Aleksis Cipras, kryeministri i vetëm grek që ka realizuar vizitë zyrtare në Shkup

Jam krenar për atë që e kemi arritur. Për daljen nga memorandumet dhe shlyerja e borxhit. Për plagët e shëruara të shoqërisë dhe ekonomisë. Për imazhin e rikthyer ndërkombëtar të Greqisë. Dhe gjithsesi Marrëveshja historike e Prespës, porositi mes tjerash, tashmë ish-lideri i SIRIZA-s, Aleksis Cipras, duke njoftuar të enjten dorëheqjen e tij nga pozita udhëheqëse, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Nëse analizohet mandati i kryeministrit Cipras, me fokus në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, kontributi i Ciprasit në normalizimin e marrëdhënieve nuk duhet të neglizhohet, jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por edhe sepse ai mbetet shembulli i vetëm i Greqisë që ka realizuar vizitë zyrtare në vendin tonë, por paralelisht është i vetmi kryeministër grek në detyrë që ka dhënë intervistë për media maqedonase.

Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve u hap me Marrëveshjen gjatë Qeverisë së SIRIZA-s, por ky normalizim vazhdoi pavarësisht nga ndryshimi i pushtetit në Greqi, e me siguri Cipras luajti një nga rolet kyçe.

Vetëm një muaj e gjysmë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes me ratifikimin në të dy parlamentet, e më pak se një vit pas nënshkrimit, në prill të vitit 2019, Cipras vizitoi Shkupin, që ishte vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek në vendin tonë.

Cipras mbërriti me ministra nga qeveria dhe delegacion biznesi, ndërsa i pritur solemnisht nga kryeministri i atëhershëm maqedonas Zoran Zaev, kaloi në klimë pozitive, të përzemërt dhe miqësore, e shumëkush e quajtën atë vizitë me rëndësi historike.

U mbajt seanca e parë e përbashkët i Këshillit të lartë për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve dhe u nënshkruan një varg marrëveshjesh, ndërsa do të mbahen mend edhe selfiet e dy kryeministrave të atëhershëm në platonë para Qeverisë.

Një ditë para vizitës, Ciprasi dha intervistë për MIA-n, e para e një kryeministri grek për një media maqedonase, në të cilën ai theksoi se Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnerë dhe aleatë, Athina duhet të ketë një fqinj të qëndrueshëm dhe të sigurt verior dhe Shkupi ka nevojë për një fqinj të fortë që do të mbështesë hapat e saj drejt perspektivës evropiane

Aleksis Cipras në çdo rast edhe si kryeministër, por edhe si lider i opozitës e përmendte Marrëveshjen e Prespës si pjesë e sukseseve të Qeverisë së tij, ndonjëherë në kontekstin e konfrontimeve të brendshme politike në vend dhe mjaft shpesh duke theksuar se nëse nuk do të ishte zgjidhja “Greqia do të kishte Libinë në kufirin verior, ndërsa hapësira ajrore e vendit fqinj do të monitorohej nga avionët luftarakë turq në vend të atyre grekë”.

Bisedimet intensive disamujore për zgjidhjen e kontestit dhe Marrëveshjes së Prespës rezultuan me atë që kryeministrat e atëhershëm të dy vendeve Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras të kenë bisedime të shpeshta që kaluan edhe në miqësi personale.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Zaevi ia dhuroi kravatën Ciprasit, i cili në intervistën për MIA-n sqaroi se ai nuk mban kravata sepse paraqitja e tij publike është e përcaktuar pa kravatë, ndërsa atë të Zaevit e ruan në sirtarin e tavolinës së punës, për t’ia kujtuar, siç tha, “momentin historik, hapin e guximshëm përpara për miqësi dhe bashkëpunim midis popujve, që ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës”.

Në zgjedhjet e dyfishta parlamentare në Greqi më 21 maj dhe 25 qershor të këtij viti, Syriza pësoi humbje të madhe dhe kreu i partisë dha dorëheqjen të enjten.

Aleksis Cipras udhëhoqi Sirizan për 15 vjet dhe shërbeu si kryeministër i Greqisë nga janari i vitit 2015 deri në korrik të vitit 2019.

Sanja Ristovska

MARKETING