Blinken: SHBA synon bashkëjetesë në paqe me Kinën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të gjejnë rrugën për “bashkëjetesë paqësore” me Kinën, pavarësisht konkurrencës së fortë, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të mërkurën, duke vënë në dukje se Uashingtoni nuk po i “shkëput” lidhjet ekonomike me Pekinin dhe se vitin e shkuar tregtia mes dy vendeve shënoi rritje rekord.
Disa ditë pasi zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë kinezë në Pekin, Blinken tha se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës “është një garë afatgjatë” pa një “kufi të qartë”.
Vizita në Pekin e Sekretares së Thesarit Janet Yellen
Deklaratat e zotit Blinken vijnë para udhëtimit të pritshëm në Pekin, në javët e ardhshme, të Sekretares së Thesarit Janet Yellen. Zoti Blinken vuri në dukje faktin se tregtia dy palëshe vazhdon të zgjerohet pavarësisht tensioneve mbi çështje si, gjysmëpërçuesit apo keqtrajtimi i ujgurëve nga Pekini.
“Vitin e kaluar u shënua niveli më i lartë tregtar me Kinën. U regjistrua numri më i lartë i investimeve të huaja direkte në Kinë që prej vitit 2024”, tha zoti Bliken duke shtuar se kontrollet amerikane mbi eksportet dhe sanksionet ndaj njësive kineze kanë ndikim vetëm tek një pjesë e kompanive që veprojnë në Kinë.
Zonja Yellen ka paralajmëruar mbi pasojat negative që do të kishte në ekonomi shkëputja nga Kina dhe ka bërë thirrje për thellim të marrëdhënieve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Por zyrtarët amerikanë po përballen pyetje të vështira nga kritikët të cilët kërkojë që administrata e zotit Biden të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës.
Këtë javë, ish-ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka shpallur kandidaturën për garën presidenciale të vitit 2024, i bëri thirrje Uashingtonit të shfuqizojë statusin për marrëdhënie normale, të përhershme tregtare me Kinën derisa qeveria e Pekinit të ndihmojë në zhdukjen e kimikateve që përdoren për prodhimin e fentanilit.
Gjatë një takimi të organizuar të martën nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjeve me bazë në Uashington zonja Haley tha se do t’i nxiste kompanitë amerikane të largoheshin nga Kina.
“Kina është shumë më tepër sesa thjesht një konkurrente. Kina komuniste është armike. Është kërcënimi i huaj më i rrezikshëm me të cilin përballemi që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo.
Provokimet ndaj Tajvanit
Javën e shkuar, në Pekin, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara mbi provokimet ushtarake të Kinës në ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit, që planifikon mbajtje e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2024.
Zoti Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe janë për zgjidhje paqësore të dallimeve mes Kinës dhe Tajvanit.
Të mërkurën, Richard Haass presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë e pyeti zotin Blinken se përse Uashingtoni nuk ia bën më të qartë Kinës se Shtetet e Bashkuara “do të qëndrojnë në krah të Tajvanit, nëse Pekini synon të përdorë forcën”.
“Mendoj se diçka e tillë është shumë e dukshme, jo vetëm me ato që po themi, por edhe në ato që po bëjmë, se ne do të përkrahim Tajvanin”, u përgjigj zoti Blinken. “Bazuar në Aktin mbi Marrëdhëniet me Tajvanin ne kemi angazhim afatgjatë që siguron se ne do të bëjmë gjithçka do të ishte e nevojshme për të ndihmuar Tajvanin që të mbrohet”.
Zoti Blinken tha se “dislokimi i trupave kineze, stërvitjet dhe provat raketore të Kinës”, që nga 2016, “trysnia ekonomike kundër Tajvanit” dhe përpjekjet e Pekinit për “ta ndarë” Tajvanin nga arena ndërkombëtare janë “jo etike për ruajtjen e status quo-së”.
Departamenti i Shtetit ka deklaruar se bazuar në politikën e Uashingtonit atë të “Një Kine”, Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë qëndrim mbi sovranitetin e Tajvanit./VOA