Erdoğan pas sulmit ndaj Kuranit: Autorët dhe ata që i mbrojnë nuk do t’i arrijnë qëllimet

Erdoğan pas sulmit ndaj Kuranit: Autorët dhe ata që i mbrojnë nuk do t’i arrijnë qëllimet

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi në lidhje me djegien e një kopjeje të Kuranit në Suedi, ndërsa krahas autorit, kritikoi autoritetet që lejuan këtë veprim në emër të “lirisë së mendimit”, raporton Anadolu.

“Ata që e lejuan këtë krim nën maskën e ‘lirisë së mendimit’ dhe ata që mbyllën sytë përballë kësaj poshtërsie, njëlloj sikurse ata që e kryen, nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre”, tha Erdoğan në një program Bajrami me anëtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Istanbul, në të cilin ai u lidh onlajn.

Ai tha se megjithëse dy miliardë muslimanë anekënd botës po festojnë në një klimë qetësie, “armiqtë e Islamit dhe njerëzimit po përpiqen të hedhin hije mbi këtë klimë me provokimet e tyre nën mbrojtjen e policisë”.

“Sulmi i poshtër ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit, në Suedi, në ditën e parë të Bajramit, është një prej këtyre rasteve…Dua të dihet se si Türkiye, nuk do të përkulemi kurrë para politikës së provokimit ose të kërcënimit. Ne do të shfaqim reagimin tonë në mënyrën më të fortë të mundshme derisa organizatat terroriste dhe armiqtë e Islamit të luftohen me vendosmëri. Do t’u mësojmë arrogantëve perëndimorë se nuk është liri e mendimit të fyhen vlerat e shenjta të muslimanëve”, tha presidenti Erdoğan.

Të mërkurën, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stockholmit.

Më 12 qershor, gjykata suedeze e apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte baza ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiyes në Stokholm, apeluan vendimin.

Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave.

MARKETING