Vuçiq: Fëmijët e moshës 12,13 dhe 14 vjeç janë të gatshëm të vdesin në veri të Kosovës

Vuçiq: Fëmijët e moshës 12,13 dhe 14 vjeç janë të gatshëm të vdesin në veri të Kosovës

Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai asnjë natë nuk mund të fle sepse e di se “çfarë ndodh natën në veri të Kosovës, fjalë për fjale është duke vluar, fëmijët e moshës 12, 13 dhe 14 vjeç janë të gatshëm të vdesin”, raporton Anadolu.

Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se fëmijët serbë të moshës 12 vjeçare në Leposaviç i “ndoqën veturat” e Forcave të Sigurisë së Kosovës natën mes të mërkurës dhe të enjtes dhe theksoi se “askush nuk do të duroj më” Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe “as terrorin e tyre”.

“Kjo është një situatë tmerrësisht e vështirë për ne, po përpiqemi të ruajmë paqen pothuajse me çdo kusht, por kemi të bëjmë me njerëz që nuk duan paqe me çdo kusht. Ne na mbetet të luftojmë dhe të mbështetemi në mendje të shëndoshë. Shpresoj që BE-ja dhe SHBA-ja do të kenë forcë të mjaftueshme për të bindur ata që sillen në mënyrë irracionale”, tha Vuçiq.

Duke folur për arrestimin e tre policëve kufitarë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që ndodhi të mërkurën dhe për të cilët Prishtina argumenton se janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, Vuçiq tha se vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se “të arrestuarit kanë shkelur të gjitha normat e të së drejtës ndërkombëtare”.

Vuçiq përkujtoi se Kurti tha se të arrestuarit ndodheshin brenda Kosovës, 300 metra nga vija administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe theksoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë të drejtë dhe nuk guxojnë të jenë aty sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, sepse kur duan t’i afrohen vijës administrative një kilometër ata duhet ta njoftojnë KFOR-in 36 orë përpara.

Presidenti serb pyeti se çfarë po kërkonin policët e Kosovës në vendin ku u arrestuan me tyta të gjata, apo “mos kanë dashur të vrisnin dikë që donte të kalonte Coca-Cola ose një shishe me ujë të thartë” nëpër vijën administrative ose mos kanë dashur ti zhvatin apo t’ua marrin gjysmën”.

Vuçiq tha se për të është e “pështirë të justifikohet për budallallëqe”, sepse gjatë arrestimit “askush nuk është rrahur dhe asgjë nuk ka ndodhur”.

Ai vlerësoi se ishte një “punë rutinë” e organeve të rendit serb dhe theksoi se nuk ka ndodhur kurrë më parë që pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë apo të policisë serbe të kalojnë vijën administrative, sepse kanë “urdhër të drejtpërdrejtë për këtë”.

Duke folur për protestat që kërkojnë përgjegjësi për shpërthimin e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në Serbi që çuan në dy vrasje masive në fillim të majit, Vuçiq tha se Serbia po përpiqet të marrë arritjet më të mira demokratike të Bashkimit Evropian.

“E vetmja gjë që nuk kemi ndërmarrë ka qenë të vrasim Zotin tek demonstruesit, këtë nuk mund ta bëjmë dhe nuk do ta bëjmë, do ta shmangim deri në momentin e fundit”, ka theksuar Vuçiç.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentes së Sllovenisë, Vuçiç theksoi se në Serbi liria e medias është e tillë që ai “duhet të përgjigjet çdo ditë nëse është Hitleri apo Musolini”, duke shtuar se tashmë po mësohet dhe tha se “nuk i dëshiron që edhe ajo të këtë shkallë të lirisë”.

Presidentja sllovene, nga ana e saj, apeloi që të respektohet ligji dhe që të gjithë të punojnë së bashku për sundimin e ligjit.

“Padyshim që do të dëshiroja zbatimin sa më të shpejtë të marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Për këtë është rënë dakord në vitin 2013 dhe nuk shoh arsye pse të mos zbatohet”, tha Pirc Musar.

Ajo theksoi se në këto momente të vështira për Beogradin dhe Prishtinën, dialogu është e vetmja rrugë reale për zgjidhje dhe qetësim të situatës.

“Për këtë nevojiten të dyja palët dhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj. Në tetor do të udhëtoj në Prishtinë dhe atje do të diskutoj qëndrimet e tyre me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Qëndrimi i BE-së dhe i Sllovenisë është i qartë, dialog, dialog dhe vetëm dialog. Nuk duam konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se rruga e planifikuar duhet të jetë e qartë, që është përafrimi drejt Evropës, vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut. Ne besojmë në Evropë”, theksoi Pirc Musar.

Ajo shtoi se dëshiron shumë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë punën e tyre në lidhje me anëtarësimin në BE.

Pirc Musar tha se shpreson që këto vende t’i bashkohen “familjes së madhe evropiane që respekton diversitetin e gjuhëve dhe kulturave”.

Ajo theksoi se mendon se Serbia “nuk ka asnjë rezervë” për këtë çështje dhe se e di që gjuha serbe do të jetë një nga gjuhët zyrtare të BE-së.

Pirc Musar tha se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që do të duhet të “tregojë se sa të pjekur jemi të gjithë së bashku për të qetësuar tensionet”.

Duke iu drejtuar presidentit Vuçiq, ajo theksoi se “demonstratat në të gjitha vendet janë akt legjitim dhe pjesë e demokracisë” dhe shtoi se ajo që raportojnë mediat është liria e shprehjes.

Pirc Musar tha se liria e mediave është pjesë e demokracisë dhe se “duhet të punojmë edhe për këtë”, si dhe shtoi se edhe protestat janë pjesë e demokracisë dhe se protesta ka edhe në Slloveni, jo vetëm në Beograd.

MARKETING