(VIDEO) Kurti ndërkombëtarëve: Ju kuptoj ama po zbatojmë obligimet kushtetutuese!

(VIDEO) Kurti ndërkombëtarëve: Ju kuptoj ama po zbatojmë obligimet kushtetutuese!

Situata në veriun e Kosovës është e qetë, një ditë pas përlasjeve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë sot në objektin e komunës pa ndonjë problem. Në Leposaviq ka shkuar sot edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Xhelak Sveçla, ministër i brendshëm i Kosovës

“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta”.

Ndërkohë, kanë vazhduar edhe reagimet. Shtetet e KUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë “vendimet e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve për përmbajtje”.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar duke tërhequr vërejtjen se nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese, ndërsa thuhet se ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren duhet të jetë përparësi.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por theksoi se çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese. “Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë në Beograd sot është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë ku është vendosur që forcat e armatosura të në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.  /SHENJA/

MARKETING