Biden njofton ndihmë të mëtejshme ushtarake për Ukrainën
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi një tjetër paketë pajisjesh ushtarake për Ukrainën gjatë samitit të shtatë vendeve kryesore të demokracive të industrializuara (G7) në Hiroshima, Japoni, pas bisedimeve dypalëshe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Biden deklaroi se paketa përfshin municione, artileri dhe automjete të blinduara.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihen si aleati më i rëndësishëm i Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus, dhe kanë ofruar sasi të konsiderueshme pajisjesh ushtarake muajt e fundit.
Bisedimet midis Biden dhe Zelensky, gjatë samitit të G7, erdhën pasi presidenti ukrainas zhvilloi një vizitë të papritur, duke u paraqitur personalisht pas spekulimeve të shumta nëse ai do të merrte pjesë apo jo në takim.