Sulme të fuqishme, nuk ndalen luftimet e ashpra në Sudan

Sulme të fuqishme, nuk ndalen luftimet e ashpra në Sudan

Luftimet në Sudan po vazhdojnë, me banorët e kryeqytetit, Kartum, që kanë raportuar se mëngjesin e 10 majit ka pasur shpërthime të fuqishme.

Luftimet po vazhdojnë pavarësisht se gjeneralët, që janë në epiqendër të konfliktit, kanë dërguar në Arabinë Saudite përfaqësuesit e tyre për bisedimet e paqes. “Jemi zgjuar me shpërthime dhe sulme me artileri të rëndë”, tha për AFP-në një banor i Omdurmanit, që gjendet shumë pranë Kartumit. Gjatë natës, dy shpërthime të fuqishme kanë goditur kryeqytetin sudanez, Kartum. Që nga 15 prilli, në Sudan po luftojnë ushtria e udhëhequr nga komandanti, Abdel Fattah al-Buhran, dhe trupat e një formacioni paramilitar, të udhëhequr nga komandanti Mohamed Hamdan Daglo.

Dy gjeneralët, që po luftojnë për pushtet në Sudan, kanë dërguar në Arabinë Saudite të shtunën negociatorët e tyre. Bisedimet, që po ndërmjetësohen nga Shtetet e Bashkuara dhe sauditët, po cilësohen si “bisedime para negociatave”. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë njoftim nëse është arritur përparim në bisedimet që po mbahen në qytetin Xhadah.

Më herët gjatë kësaj jave, një diplomat saudit e pranoi se një marrëveshje afatgjatë e armëpushimit nuk është pjesë e diskutimeve dhe se të dyja palët “besojnë se janë në gjendje të fitojnë betejën”. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për ndihmë, Martin Griffiths, është larguar nga Xhadah pasi propozoi “deklaratën e zotimeve për të dyja palët për të garantuar një rrugë të sigurt për dërgimin e ndihmës humanitare”, njoftoi një zëdhënës i OKB-së.

Më shumë se 750 persona janë vrarë që nga nisja e luftimeve më 15 prill, shumica e të cilëve civilë. Pothuajse 150.000 persona janë larguar në shtetet fqinje, ndërkaq 700.000 banorë janë zhvendosur brenda Sudanit. Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil. Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

MARKETING