Përshkallëzohen luftimet në Sudan, nis largimi i banorëve

Përshkallëzohen luftimet në Sudan, nis largimi i banorëve

Banorët e kryeqytetit sudanez po largohen prej Kartumit ndërsa konflikti mes ushtrisë dhe një force rivale paraushtarake po përkeqësohet. Banorët ankohen se krahas mungesës së ushqimeve dhe ujit, nuk kanë informacion se çfarë po ndodh realisht në Sudan.

Ndërsa vazhdojnë luftimet, pjesë të kryeqytetit të Sudanit, Khartoum janë në zjarr. Nga qyteti po ikin ata që e kanë këtë mundësi.

Studenti Anas Mohammed, thotë se u detyrua të arratiset pasi fqinji i tij është qëlluar dhe plumbat kanë hyrë në shtëpinë e tij.

“Tani nuk ka vend të sigurt në kryeqytet. Ne dëshirojmë paqe dhe siguri për ata që ende do të qëndrojnë në Khartoum. Ne lutemi për ta, por mendoj se është më mirë që ata të largohen për sigurinë e tyre”, tha studenti Anas Mohammed.

Ushtria sudaneze thotë se po koordinon përpjekjet për të evakuuar qytetarët dhe diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina dhe Franca jashtë vendit me aeroplanë ushtarakë. Luftimet vazhduan në kryeqytet të shtunën, duke përfshirë në aeroportin e tij kryesor.

Luftimet në Sudan janë rezultat i një grusht shteti të vitit 2019 që rrëzoi ish-udhëheqësin Omar al-Bashir.

Grusht shteti u organizua nga dy grupe ushtarake, njëri i udhëhequr nga gjenerali Abdel-Fattah Burhan dhe tjetri nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, kreu i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake.

Të dy kryesuan një tjetër grusht shteti në vitin 2021, duke rrëzuar kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe duke pezulluar kushtetutën.

Që atëherë, premtimet për një qeveri civile janë lënë në hije nga tensionet mes të dyve se kush do të drejtonte një ushtri të konsoliduar.

Këto tensione çuan në dhunën që shpërtheu në fillim të këtij muaji.

“Ata na mashtronin duke bërë sikur ishin partnerë në përpjekjen për tranzicion, kur, në fakt, po bënin gjithçka që mundeshin për të penguar tranzicionin”, tha Jeffrey Feltman, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për zonën e Afrikës që përfshinë edhe Sudanin.

Ish-ambasadori sudanez në SHBA thotë se gjeneralët duhet t’u japin përparësi njerëzve të cilëve u shërbejnë.

“Ndaloni luftën, mbroni civilët dhe siguroni ndihmën e nevojshme humanitare. Më pas, në përpjekje të ushtrojë presion mbi palët ndërluftuese për të pranuar kthimin në normalitet që për ne nënkupton një qeveri civile”, thotë Noureldin Sati, ish-ambasador i Sudanit në SHBA.

Ndërkohë, banorët kërkojnë siguri pasi shumë përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe pakësim të furnizimeve me ujë dhe ushqim.

“Ne po kërkojmë një vend të sigurt për të na strehuar në mungesë të ujit dhe ushqimit. Lusim Zotin të jetë i mirë me ne”, tha Al-Nour Abbas Daud, banor i kryeqytetit, Khartoum.

Disa civilë ankohen se nuk kanë informacione për shkakun e luftimeve dhe perspektivat për paqe.

“Që në fillim të ngjarjeve, ne si civilë nuk dinim çfarë të bënim. Ne nuk e dimë se kush çfarë kontrollon”, tha Mahmoud Salih-Aloshara, banor i kryeqytetit, Khartoum.

Apele për ndihmë vijnë edhe nga disa banorë të kryeqytetit që u larguan nga konfliktet e tjera në rajon, si Roza Matama nga Etiopia, e cila jeton në Sudan për shtatë vjet.

“Tani rrimë pa rrymë, pa ujë, pa bukë, pa asgjë, ndaj na duhet dikush që të na ndihmojë. Fëmijët e mi tani nuk pinë, nuk hanë asgjë”, tha Roza Matama, banore e Khartoumit./VOA

MARKETING