(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, Grupi i punës mblidhet pas festave
Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të mblidhet pas festave, ndërsa në të nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës as nga blloku maqedonas dhe as nga ai shqiptar. Emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës do të publikohen në fillim të javës së ardhshme.
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht për vazhdimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut, por qeveria nuk e ka shumicën e nevojshme prej dy të tretave për amendamentet kushtetuese.
Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq informoi se pas festave grupi I punës do t’i formulojë propozimet për amendamentet kushtetuese. Pas atij formulimi pritet që të ketë debat publik e më pas ptropozimi do të hyjë në Kuvend. Mariçiq tha se Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur dhe Kushtetuta duhet të ndryshohet sa më shpejt, sepse gjithnjë e më shumë shtrohet çështja për të ardhmen e pasigurt evropiane të vendit.
Në Grupin e Punës tashmë janë propozuar zyrtarisht 13 anëtarë, të cilëve duhet t’i bashkohen edhe ekspertët. Nga partitë janë propozuar: Cvetanka Ivanova-LSDM , Arbër Ademi-BDI, Remzi Mehmedi-Aleanca për Shqiptarët , Sonja Mirakovska-PRSD, Nano Ruzhin-PLD, Hrista Najdanov-RDM, Temellko Risteski-Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi-PDSH, Eran Kurtish-Partia për Lëvizjen e Turqve, Bejxhan Iljas-Partia Demokratike e Turqve. Ndërkaq, nga institucionet janë propozuar: Alleksandar Spasov-Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tillev-Sekretariati për Çështje Evropiane, Shpend Sadiki-Ministria e Punëve të Jashtme.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se për të, tema e grupit të punës është çështje e mbyllur. Kryeministri Dimitar Kovaçevski u përgjigj se Mickoski nuk është deputet dhe për këtë arsye nuk është i përshtatshëm për të folur për këtë çështje. Mickoski disa herë ka përsëritur se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës në këtë përbërje parlamentare. /SHENJA/