(VIDEO) Mickoski thirrje Pendarovskit të mos i nënshkruajë ligjet e korridoreve
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me ndryshimet ligjore për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D në Ligjin për Marrëdhënie Pune mundësohet që paratë të mbesin në shtetin tonë dhe autostradat të ndërtohen më shpejtë. Kovaçevski tha se u mbetet deputetëve të vendosin për çështjen në fjalë, respektivisht për zgjatjen e orarit të punës për punëtorët e këtij projekti.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Këtu bëhet fjalë për ndryshim ligjor që ka të bëjë vetëm me projekte të tilla me interes kombëtarë. Qëllimi është që në bazë vullnetare, punëtorë që do të dojë të punojë më tepër se sa është e shkruar me ligj, kjo t’i paguhet, çdo orë shtesë dhe të dielave shtesë të merr 50 për qind mëditje më të madhe”.
Ndërkaq, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i bëri thirrje presidentit, Stevo Pendarovski që të mos i nënshkruajë ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, të cilat janë në procedurë parlamentare. Mickoski tha se ajo që e shqetëson është se i gjithë procesi rreth ndërtimit të korridoreve zhvillohet në mënyrë jo transparente dhe opinioni nuk ka njohuri për kontratën.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-SË
“Tani dalin me disa njoftime ku thonë se nuk po paguajnë gjoba, por kanë qenë shpenzime shtesë. Nuk mund të habitesh me marrëzinë e tyre në një skenë të hapur. Prandaj e kemi Pendarovskin që në rolin e analistit përdor urtësinë popullore, në vend që të thotë se çfarë do të bëjë. I bëj thirrje që të mos fshihet pas Parlamentit dhe të guxojë të dalë dhe të mos I firmosë ato vendime ligjore që do t’i vijnë”.
Lidhur me qëndrimin e Qeverisë për zgjatjen e orarit të punës nga 40 në 60 orë, Mickoski tha se përgjigja e djeshme e qeverisë nuk meriton koment, por ka treguar se është vepër penale. /SHENJA/