Radev: Të paktën dhjetë e herë e kam ftuar Pendarovskin ta vizitojë Bullgarinë

Radev: Të paktën dhjetë e herë e kam ftuar Pendarovskin ta vizitojë Bullgarinë

Viteve të fundit së paku dhjetë herë e kam ftuar presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski për ta vizituar Bullgarinë, tha sot presidenti bullgar Rumen Radev në margjinat e seancës konstituive të përbërjes së sapozgjedhur të Kuvendit popullor, duke e komentuar deklaratën e mbrëmshme të shefit të shtetit të Maqedonisë së Veriut se në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë bisedë konstruktive me presidentin e Bullgarisë.

“Në tetor, gjatë hapjes së interkonektuesit me ndihmën time tek kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, Republika e Maqedonisë së Veriut mori ndihmë financiare nga BE-ja për furnizimin e energjisë elektrike”, theksoi Radev.

Potencoi se edhe ai ka qenë i pari që e ka ngritur çështjen e bullgarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Unë isha ai që arriti t’i bindë të gjithë liderët evropianë dhe institucionet, futjen e bullgarëve të Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u bërë kusht i patjetërsueshëm për fillimin e negociatave për hyrje në BE. Shpresoj se presidenti Pendarovski do ta kuptojë se kjo do t’i ndihmojë vendit të tij t’i shkëpusë ideologjitë e së shkuarës totalitare dhe të niset drejt demokratizimit të shtetit”, tha Radev.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski mbrëmë në intervistën për televizionin “Sitell” deklaroi se nuk ka kontakte me presidentin bullgar Rumen Radev dhe se për herë të fundit që është takuar me të ka qenë vitin e kaluar në Mini samitin e Energjetikës në Sofje. Pendarovski tha se në dy vitet e kaluara nuk ka pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin, duke potencuar se, sipas tij, nuk ekziston klimë e fqinjësisë së mirë.

“Për tango duhen dy persona. Në dy vitet e fundit, Bullgaria ka pasur një sërë provokimesh ndaj nesh dhe ka dalë me argumente për bllokadën tonë ndaj BE-së, e që nuk është parë kurrë në historinë e BE-së. Asnjë vend nuk e ka bllokuar një vend tjetër duke thënë “Ju nuk jeni ata që mendoni se jeni”. Të flisni për politikë identitare dhe të thoni se unë nuk jam maqedonas dhe se vetëm nëse i ndërroj të gjitha tekstet shkollore do të mund të përparoj drejt Evropës… Mund të aktrojmë sikur bëjmë takime, por në dy vitet e fundit praktikisht nuk kam pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin”, deklaroi Pendarovski.

MARKETING