(VIDEO) Gjatë fundjavës do të dihet se cilat pemë dhe perime do të ngrijnë
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka bërë të ditur sot se të premten apo deri të dielën do të dihet se cilat lloje të perimeve dhe frutave do të kenë çmime të ngrira. Siç tha Bekteshi, parametrat hyrës për pemët dhe perimet nga Ministria e Bujqësisë tashmë janë në Ministrinë e Ekonomisë dhe ende priten të dhënat nga Drejtoria Doganore.
KRESHNIK BEKTESHI,MINISTËR I EKONOMISË
“Gjatë ditës së sotme, ndoshta deri nesër, do të kemi të gjitha të dhënat dhe të premten apo të dielën do të informojmë publikun se cilat fruta dhe perime do të kenë ngrirje çmimi”.
Bekteshi tha se nuk ka rrezik për rritje të papritur të çmimeve pas skadimit të masave. Ai potencoi se kishte diskutuar me fermerët dhe tregtarët dhe u kishte treguar atyre se masat mund të vazhdojnë edhe përtej 31 majit.
KRESHNIK BEKTESHI,MINISTËR I EKONOMISË
“Për sa kohë të kemi nevojë për masa të tilla, do t’i kemi. Nuk ka rrezik për rritje të papritur të çmimeve pas skadimit të masave. Masat mund të vazhdojnë edhe pas datës 31 maj. Tregtarët mund të bëjnë llogaritjet në përcaktimin e çmimit përfundimtar, të gjitha janë me marzhë të fitimit”.
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme do të miratojë Vendim me të cilin do të përcaktohen çmimet më të larta me pakicë të produkteve higjienike, deklaroi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/