Kovaçevski: Do të përcaktohen arsyet e vdekjes së gjashtë vjeçares në spitalin e Manastirit

Kovaçevski: Do të përcaktohen arsyet e vdekjes së gjashtë vjeçares në spitalin e Manastirit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se duhet të presim faktet nga raportet për të përcaktuar shkakun e vdekjes së vajzës gjashtëvjeçare në spitalin e Manastirit.

“Lidhur me atë rast, ju e dini se në të njëjtën ditë kur ka ndodhur është bërë një kontroll i jashtëzakonshëm nga ISSHSH. Është informuar edhe Prokuroria dhe raportet, siç bëri të ditur dje zëvendësministri i Shëndetësisë, tashmë janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Në bazë të tyre do të përcaktohet edhe arsyeja e saktë e asaj që ka ndodhur. Nuk do të mund të paragjykoja saktësisht se çfarë ndodhi, sepse para së gjithash nuk jam person mjekësor. Mirëpo, në bazë të të gjitha fakteve, vendimet do të merren në të ardhmen, por fillimisht të presim që të ndahen faktet se çfarë ka ndodhur saktësisht në spitalin e Manastirit”, tha Kovaçevski, i cili sot ishte në fabrikën “Vezë Shari”.

Kryeministri beson se kemi një sistem shëndetësor funksional, i cili ka një numër të madh punonjësish dhe për të cilin janë siguruar mjete financiare në nivelin 0,8 miliardë euro në Buxhetin e vitit 2023.

Lidhur me vërejtjet se nuk ka staf mjekësor të mjaftueshëm, Kovaçevski tha se është e nevojshme të bëhet rishpërndarja e stafit në shëndetësi. Ai si shembull e tregoi Shkupin, ku sipas tij diku ka tepricë të personelit.

“I takon Ministrisë së Shëndetësisë dhe normalisht drejtorëve të klinikave që të vendosin personelin brenda shtetit aty ku ka nevojë, sepse ndonjëherë të krijohet përshtypja se diku ka mungesë, e diku duan të punojnë më së shumti të gjithë punëtorët. Për shembull, në qytetin e Shkupit ka tepricë të caktuar të personelit, prandaj duhet të ndahen mirë resurset dhe sistemi të funksionojë në një nivel edhe më të mirë”, tha Kovaçevski. 

MARKETING