(VIDEO) Osmani: Po angazhohemi fuqishëm që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në A5
Maqedonia e Veriut, si vendi kryesues i iniciativës “A5 SHBA- Karta e Adriatikut” ishte nikoqire e takimit joformal ministror që u mbajt në Shkup. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se kjo është nisma më e rëndësishme për promovimin e vlerave euroatlantike në rajon.
Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashmte
“Mbështetja e përbashkët e politikës së dyerve të hapura të iniciativës, përkatësisht, zgjerimin e A5 edhe me vende të reja të rajonit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për promovimin e gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon. Ne si kryesues, po angazhohemi fuqishëm që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në A5, aplikimi i së cilës është dorëzuar në vitin 2012”
Kryediplomati Osmani tha se pas dy dekatash ekzistence të nismës A5, rrethanat gjeopolitike në rajon kanë ndryshuar dukshëm, ndërsa A5 ka përmbushur qëllimin fillestar për të cilën u formua, e që ishte anëtarësimi i vendeve-themeluese në NATO.
Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashmte
“Qëllimi ynë është të përshtatim A5 me situatat aktuale dhe të forcojmë rolin e tij politik në drejtim të ballafaqimit më të lehtë të sfidave bashkëkohore, rajonale dhe të sigurisë”
Gjithashtu, në deklaratën e përbashkët do të përfshihet edhe mbështetja e fortë e vendeve anëtare për Ukrainën dhe do të dënohet agresioni luftarak rus.
Kujtojmë se iniciativa SHBA-Karta e Adriatikut u krijua në vitin 2003 nën kujdesin e SHBA-së dhe paraqet një platformë unike për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes. Përveç Maqedonisë së Veriut, pjesë e iniciativës janë edhe Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Ndërkohë, Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë statusin e vëzhguesve. Maqedonia e Veriut këtë vit mori kryesimin e iniciativës A5, në një vit kur shënohen dy dekada të ekzistencës së iniciativës.
Linda Ebibi /SHENJA/