(VIDEO) Opozita akuzon MPJ-në për shpenzime për marketing politik
Dua të theksoj se shfrytëzimi i institucionit të MPJ-së dhe reputacionit të tij për reklama të lira nga ministri Osmani paraqet keqpërdorim të institucionit, tha deputeti nga VMRO-DPMNE, Antonijo Milloshoski, në panelin e sotëm me temën “Situata alarmante në diplomacinë maqedonase”.
Atë që ligjërisht ka kompetenca e ministrisë për të promovuar shtetin përtej kufijve të saj në fushën ekonomike, politike, tregtare dhe kulturore, tashmë Ministria e Jashtme është kthyer në një institucion që reklamon ministrin brenda shtetit, dhe më së shumti në komunën Çair ku ka marrë detyrë partiake për pajtimin e fraksioneve në partinë e tij amë.
ANTONIO MILLOSHOSKI, VMRO-DPMNE
“Unë kam vërejtur sjellje joserioze të Sekretarit të Jashtëm dhe kam qenë i tmerruar se sa i lirë është reduktuar programi i marketingutnga MPJ. Ishte në korrik të vitit 2021 kur mediat u thirrën në ministri për tu njoftuar se kishin blerë 5 skuter elektrikë dhe 6 helmeta. Kjo ishte ngjarja e ditës me deklaratën e ministrit se ministria po hyn në diplomacinë mjedisore dhe se ato do të përdoren nga diplomatët për të shkuar në institucionet e tjera”.
Ndërkaq nga Мinistria e Punëve të Jashtme kanë reaguar nëpërmjet një komunikate me shkrim duke thënë se ministria sot përballet me mangësi serioze sistematike e që është rezultat i punës afatgjate joprofesionale dhe qasjes thellësisht partiake në drejtimin e institucionit në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme udhëhiqej nga ministra të VMRO-DPMNE-së. Me tribunën e sotme partiake të VMRO DPMNE-së, edhe një herë publikisht e pamë dëmin që kjo parti i shkaktoi diplomacisë përmes partizimit të Ministrisë, pikërisht gjatë kohës kur udhëhiqej nga personat që sot ishin në tribunë.
TABELË MPJ
“Vitet e fundit, për herë të parë në funksionimin e institucionit, nuk ka rëndësi bindja partiake e diplomatëve, që prej dekadash partitë politike i kanë ndarë në tanët dhe tuajin. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe të fundit, ka ardhur në pah ekspertiza dhe puna e paanshme e diplomatëve dhe ambasadorëve. Në atë periudhë si njerëz të parë në ambasada dërgoheshin pastiçierë, e të ngjashme – me të cilët vështirë mund të ndërtohet një punë profesionale e paanshme dhe objektive e diplomatëve”.
Nga MPJ thonë se që nga fillimi i mandatit të ministrit aktual, punësimet, gradimet dhe dërgimi në misione, kryhen përmes shpalljeve të brendshme, në përputhje me procedurat ligjore dhe këto aktivitete kryhen sipas merit-sistemit, duke respektuar parimin etnik dhe gjinor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/